Kosova

Tri viktima dhe 1.128 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Është bërë e ditur se sot në Kosovë janë regjistruar edhe tri viktima nga koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se në Gjilan janë shënuar dy viktima, ndërsa një në Gjakovë.

Nga 7.424 mostra të testuara gjatë 24 orëve të fundit, pozitivë me koronavirus janë konfirmuar edhe 1.128 persona.

Pjesa më e madhe e të infektuarve janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç, përkatësisht 305 persona. Ndërsa nga 30 deri 39 vjeç janë 231 të infektuar.

Sipas autoriteteve shëndetësore, nga sëmundje COVID-19 janë shëruar edhe 46 persona, ndërsa raste aktive janë 5.493.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 113,781 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,276 kanë vdekur.

Sipas njoftimit, në 24 orët e fundit janë vaksinuar 19.248 persona.

Të vaksinuar me të dyja dozat janë 192.503 persona, derisa sipas autoriteteve 559.007 vaksina janë dhënë në total në Kosovë.