Kinema
“Tri Net Film Fest”, në kërkim të historisë përmes filmit shqiptar
Të shtunën që shkoi përfundoi në Spreitenbach (AG) festivali i filmit "TriNetFilmFest", i cili këtë vit kishte edicionin e tij të tretë
Pas tri netësh të përmbushura me art, festivali “Tri Net Film Fest” në Soreitenbach ka ulur perdet, të shtunën që shkoi. Albinfo.ch ishte sponsor medial i festivalit dhe ka ndjekur zhvillimet rreth tij. Në tekstin në vijim, kemi bërë përmbledhjen e dy netëve të fundit të këtij festivali.
Nata e dytë e “Tri Net Film Fest”, festival i organizuar nga Studio “Aktrimi” e Cyrihut, me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe sponsorëve nga sektori i bizneseve private, solli një mbrëmje të veçantë kushtuar kinematografisë shqiptare dhe historisë së saj të pasur.
Festivali u hap me moderimin plot humor dhe batuta të aktorit dhe bashkëthemeluesit të Studio Aktrimit në Zvicër, Ramadan Morina, ndërsa eleganca dhe pasioni për aktrimin i Xheneta Zuzakut e shtuan shkëlqimin e mbrëmjes. Nën drejtimin e regjisorit të mirënjohur, Ben Apolloni, festivali ishte një tribut për kinemanë shqiptare, duke sjellë një përzgjedhje të veçantë filmash të shkurtër dhe dokumentarësh.
Këto vepra artistike nga regjisorë të ndryshëm shqiptarë përfshinin tregime që mbartin vlera të thella artistike dhe kulturore, të ndërthurura me kujtesën historike të kombit. Përmes simbolikës së figurave të shquara, si Margarita Xhepa, dokumentimit të periudhave të vështira përmes satirës, si dhe eksplorimit të traditave të arbëreshëve të Italisë, kjo mbrëmje ftoi shikuesit të reflektojnë mbi trashëgiminë dhe identitetin kombëtar shqiptar në epokën moderne.
Në këtë mbrëmje regjisori Ben Apolloni prezantoi një përzgjedhje të veçantë filmash të shkurtër dhe dokumentarë nga kinematografia shqiptare, të cilët mbartin vlera artistike dhe historike të rralla.
Programi përfshinte filmin me metrazh të shkurtër “Bubbles”, i cili na fton të mendojmë thellë për konceptin e pritjes dhe izolimit emocional. Në vetëm 15 minuta, filmi na rrëmben në një udhëtim të brendshëm dhe na shtyn të reflektojmë për ato “flluska”, ku shpesh mbetemi të bllokuar në jetën tonë. I realizuar në vitin 2023, kjo vepër e shkurtër kinematografike ka arritur të shfaqet në disa festivale ndërkombëtare, duke fituar çmime të rëndësishme dhe duke u nominuar për vlerësime të tjera prestigjioze.
Shfaqja e aktores së shquar Margarita Xhepa, një emër i madh i skenës shqiptare, bënte një paraqitje simbolike. Mirëpo, Apolloni e përshkroi Xhepën si një figurë që i jep dimension të përjetshëm artit shqiptar.
Një tjetër film në fokus ishte nga Burim Haliti, që përmes një satire të lehtë evokonte periudhën e vështirë të viteve ’90 në Kosovë, duke kombinuar humorin e situatave absurde të luftës me mesazhe tragjike për humbjet që pësuan shqiptarët. Ky film, tha Apolloni, i sjell kujtime të hidhura, por përmes situatave komike shfaq natyrën sfiduese të popullit.
Ndërkaq, filmi “Taksisti” i Arben Fejzullahut u shqua për teknikën dinamike të përdorur nga produksioni i tij dhe energjinë e përçuar përmes kamerës dhe montazhit, të realizuar nga montazheri shqiptar Erman. Sipas Apollonit, ky film përfaqëson një frymë të re e të gjallë në kinematografinë shqiptare.
Krahas filmave të rinj, mbrëmja u pasurua edhe me dokumentarin “Përjetësi” të Dhimitër Anagnostit, një mjeshtër i kinematografisë shqiptare, të cilin Apolloni e konsideroi si një nga autorët më të rëndësishëm shqiptarë. Ky film, i realizuar në vitin 1973, përkujton çlirimin e Shqipërisë dhe mbetet një testament artistik i kohës, me mjeshtërinë e Anagnostit të vërejtur qartë nga ata që e njohin kinemanë.
Në fund u shfaq dokumentari “Bijtë e Skënderbeut”, që përcolli historinë e arbëreshëve dhe ruajtjen e identitetit të tyre për më shumë se pesë shekuj. Sipas Apollonit, ky dokumentar sjell një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar në epokën e globalizmit, duke shtuar se çdo komb e bën botën më të pasur dhe më të bukur me ngjyrat e tij unike.
Mbrëmja, plot emocion dhe reflektim, dëshmoi për rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe promovimin e vlerave artistike shqiptare.
Për filmin “Çlirimi”, regjisori Burim Haliti ndau përvojat e tij nëpër festivale ndërkombëtare dhe rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtesës historike përmes kinematografisë. Filmi, i cili ka fituar disa çmime dhe është shfaqur në festivale botërore, trajton humbjet e shqiptarëve gjatë luftës, një temë që për Halitin mbart jo vetëm dimension artistik, por edhe diplomatik.
Ai kujtoi një moment në një festival në Gjermani, ku një gazetare nga rajoni ballkanik e pyeti për fatin e personazheve të zhdukur në film, duke nxitur një diskutim të ndjeshëm rreth çështjes së mbi 1600 personave të zhdukur nga lufta në Kosovë. Haliti vuri në dukje vështirësinë e transmetimit të realitetit historik te një publik ndërkombëtar, duke shtuar se çdo festival është një mundësi për t’u treguar të huajve historinë e shqiptarëve, shpesh të panjohur për ta.
Filmi, i krijuar me kujdes në regji, skenografi dhe aktrim, eksploron tragjedinë pa paraqitur drejtpërdrejt armë apo dhunë, një qasje që thellon tensionin dhe emocionin e audiencës. Për Halitin, ruajtja e këtyre historive përmes kinemasë është thelbësore, duke sjellë në mendje se sa shumë kombe kujdesen për dokumentimin e historive të tyre, ndërsa shqiptarët shpesh i harrojnë detajet e dhimbshme të së shkuarës së tyre.
Në vazhdim regjisori Ben Apolloni theksoi rëndësinë e kinemasë për të dokumentuar luftën dhe për të edukuar publikun, pavarësisht prirjeve që shmangin temat e konfliktit. “Kurrë nuk është në modë të bësh luftë, por gjithmonë është e nevojshme të bësh filma për të,” thotë Apolloni, duke argumentuar se filmat për luftën u japin njerëzve mundësinë të mësojnë nga e kaluara dhe të përdorin arsyen, duke i bërë më humanë dhe më të ndjeshëm.
Ai thekson se, ndryshe nga shumë vende që kanë dokumentuar tragjeditë e tyre, Kosova ka prodhuar pak filma për vuajtjet e saj gjatë luftës, çka ka lënë pas një boshllëk në të kuptuarit ndërkombëtar për këtë histori. Sipas Apollonit, mungesa e përfaqësimit të kësaj tragjedie në art ka ndikuar edhe në perceptimin politik global, dhe nëse do të kishte më shumë filma për vuajtjet e shqiptarëve, situata e Kosovës mund të ishte ndryshe sot. Po të ishin prodhuar më shumë filma dhe art për luftën tonë nuk do ta kishim as Gjykatën Speciale dhe situata e shqiptarëve do të ishte krejtësisht më ndryshe, por fatkeqësisht, nuk kemi bërë mjaftueshëm, jemi treguar dembel, të ngathët. “Është koha të bëhet më shumë art dhe të tregohen këto histori,” apelon Apolloni, duke theksuar rëndësinë e përjetësimit të përvojave të dhimbshme në kinematografi.
Regjisori Arben Fejzullahu, në prezantimin e filmit të tij “Taksi,” ndau përvojën e realizimit të një filmi me burime të kufizuara. Ai theksoi se, për shkak të mungesës së buxhetit dhe ekipit, filmi u xhirua me një ekip të vogël, ku vetëm ai dhe tekniku Erman Mehmedi u kujdesën për të gjitha aspektet teknike. Filmi përshkruan jetën e përditshme të një taksisti, duke sjellë një perspektivë realiste dhe autentike.
Fejzullahu vlerësoi ndihmën e aktorëve që realizuan filmin, dhe shtoi se, pavarësisht kufizimeve, synimi është që kinematografisë shqiptare t’i shtohen ngjyra të reja përmes ideve autentike që përçojnë histori të jetës së përditshme.
Dokumentari “Bijtë e Gjergj Kastriotit Skënderbeu”, i prodhuar nga regjisori Vranin Gecaj, eksploroi kulturën dhe traditat e komunitetit arbëresh të Sicilisë, i cili prej më shumë se 535 vjetësh ruan gjuhën, ritin bizantin dhe identitetin shqiptar. I xhiruar gjatë Festës së Pashkëve të vitit 2023 në Horën e Arbëreshëvet, filmi prej 30 minutash solli rrëfime mbi përkushtimin shekullor të këtij komuniteti për të ruajtur trashëgiminë kulturore, pavarësisht ndikimeve të globalizmit.
Dokumentari përfshiu zërat e figurave të njohura arbëreshe, si Kryetari i Bashkisë së Horës, Rosario Peta; drejtorin e organizatës PRO LOCO, Giorgio Cuccia; dhe poeteshën Giuseppina Demetra Schiro, e cila ngre shqetësimin se globalizmi po kërcënon autenticitetin dhe zakonet arbëreshe. Schiro e përshkruan globalizmin si “një shërbesë pa shpirt” që cenon traditat, përfshirë veshjet tradicionale, që janë element i rëndësishëm i identitetit kulturor.
Me muzikë nga mezzosopranoja Besa Berberi dhe kompozitorët Eduard dhe Anton Civlaku, dokumentari përcjell emocione të forta për një kulturë të lashtë që sfidon kohën dhe rrethanat.
Lulzim Bunjaku, spektator nga Kosova, përgëzoi organizatorët për programin dhe filmat dokumentarë, duke theksuar pakënaqësinë ndaj mungesës së mbështetjes për artin nga qeveritë e pasluftës. Ai rrëfeu se sa herë viziton Prishtinën për një shfaqje, gjen vetëm pak spektatorë, gjë që e trishton thellë. “Më duket se qeveritë nuk i kushtojnë fare vëmendje aktrimit”, tha ai, ndërsa vlerësoi dokumentarët e festivalit, veçanërisht atë për arbëreshët, të cilët ruajnë gjuhën dhe traditat e tyre edhe pas 550 vjetësh.
Në përfundim të mbrëmjes u ndje një jehonë e fuqishme e historisë dhe e artit shqiptar, që kapërceu kufijtë dhe mbushi audiencën me krenari e reflektim. Përzgjedhja e kujdesshme e filmave dhe dokumentarëve, që përfshinte tema nga jeta e përditshme dhe sakrificat e kombit, përcolli një mesazh të qartë për rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe vlerave kombëtare përmes artit. Me fjalët e Apollonit: “Çdo film është një dëshmi për të ardhmen dhe një mundësi për të treguar të vërtetën e popullit shqiptar përballë botës”, ky festival ishte një thirrje për vazhdimësinë e krijimit artistik, që në vetvete ruan dhe pasuron historinë e një kombi.
Çfarë solli nata e tretë
Në natën e tretë, përmbyllëse, të festivalit janë shfaqur tre filma që sjellin histori dashurie, dramë dhe tradhti, duke i ofruar publikut një përvojë të paharrueshme: “Crazy Love” – Izer Aliu, “Thirrja” – Mirak Zymberaj, “I pabesi” – Musa Isufi.
Filmi “Crazy Love” i regjisorit Izer Aliu (i lindur në Maqedoni dhe i rritur në Suedi), ka në fokus përpjekjen e një djaloshi të çmendur për t’i shpëtuar konformitetit të jetës së përditshme, duke provoluar turpin nga fqinjët e tij, duke u shtirur se është i çmendur. Një ditë ai vendos të largohet nga fshati dhe të bëjë të njëjtën gjë në qytetin e madh…
Filmi “Thirrja” i regjisorit Mirak Zymberaj trajton një konflikt të rastësishëm në mes të dy vëllezërve që përfundon tragjikisht. Derisa rregullojnë varrin e babait të tyre, vëllai i vogël (Miran Zymberaj) vret vëllain e tij më të madh (Art Pasha) pas një kacafytjeje, duke akuzuar atë se ka përvetësuar trashëgiminë e babait të ndjerë…
Filmi “I pabesi” (39 min) është realizuar nën regjinë e Musa Isufi, me skenar të Shkelqim Islami, me aktorë: Gani Veseli, Anisa Ismaili, Artan Ibishi, Valon Nuhiu, Muzabejdin Qamili. Rrëfimi i filmit është vendosur në një kontekst të viteve `50 të shekullit të kaluar dhe bën fjalë për aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve nga regjimi i atëhershëm jugosllav. Regjisori dhe producenti i filmit është nga Lugina e Preshevës. Filmi, për shkak të temës “problematike”, është ndaluar të shfaqet në Luginë dhe në Serbi, siç tregoi në debatin pas shfaqjes Gani Veseli.
Në debatin e gjerë që u zhvillua pas projektimit të filmave në ekran, përzgjedhësi i filmave të festivalit, regjisori i njohur, Ben Apolloni, shpalosi vlerat e filmave të shfaqur në këtë mbrëmje dhe në gjithë festivalin. Ai foli edhe për konceptin të cilin e ka ndjekur me këtë rast. Synimi i tij kryesor, krahas vlerave estetike të filmave, ka qenë gjithëpërfshirja e trevave shqiptare në Ballkan. Pra, në këtë festival kishim filma nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Në debat u inkuadrua edhe aktori e regjisori i njohur, profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Mentor Zymberaj, si dhe një numër të pranishmësh të tjerë.
Në përmbyllje të programit prej tre netësh u ndanë mirënjohje për ata që ndihmuan mbajtjen e festivalit.
Në një afterparty që u mbajt në vazhdim, këngëtari Bexhet Sallai argëtoi të pranishmit me këngë të lehta e popullore nga tradita jonë. Atij iu bashkua edhe këngëtarja dhe aktorja Yllka Zuzaku, pjesëtare e studios “Aktrimi”.
Luljeta Ademi
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve