Integrimi
Tri gra shqiptare që bëjnë karrierë në Zvicër
"Nëse titulli i një artikulli para dhjetë viteve do të ishte: “Përse kaq pak shqiptarë në Zvicër kanë sukses dhe shumë sish nuk kanë”, ai sot do të tingëllonte ndryshe: “Përse shumë shqiptarë kanë sukses në Zvicër dhe vetëm pak sish nuk kanë”
“Para 10 vitesh mediet zvicerane ishin ende përplot me shkrime mbi “raserët” shqiptarë, dilerët shqiptarë dhe kriminelët shqiptarë. Përse atëherë të mos shkruhet njëherë edhe për migrantët e suksesshëm nga Kosova? Pasi që të tillë kishte patjetër, edhe atëbotë”, kështu e shpjegon sot, në artikullin e publikuar në numrin special të NZZ mbi Kosovën, autori Martin Beglinger motivin për të realizuar artikullin e tij mbi “7 shqiptarët e suksesshëm” i cili në vitin 2008 pati bërë bujë në opinionin zvicerean, shkruan albinfo.ch.
“Shpejt i pata gjetur shtatë syresh dhe kjo rezultoi me shtatë biseda të gjata ku ata/ato tregonin se çfarë i kishte mundësuar sukseset e tyre. Që atëherë, nuk i kam humbur nga shikimi. Kështu që ishte e madhe kureshtja për takimin e sërishëm me tri prej tyre: Ylfete Fanaj, Shiponja Isufi dhe Shqipe Bajrami.
Në vitin 2008 ato ishin studente ndërsa sot janë gra të martuara, nëna, dhe kanë bërë tashmë një karrierë. Ylfete Fanaj, 35 vjeçe është deputete në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Aty ajo ka funksionin e shefes së Grupit Parlamentar të SP-së dhe siç e thotë autori, është shqiptarja që ka arritur më së larti në politikën zvicerane. Edhe në vitin tashmë të largët, 2008 ajo kishte qenë këshilltare në Asamblenë e qytetit të Lucernit, përcjell albinfo.ch. Ylfetja punon si punëtore sociale dhe është e martuar. Ka punuar rreth 6 vite si përgjegjëse për integrim në Kantonin Nidwalden ndërsa tash është duke e bërë masterin.
Shqiponja Isufi, e cila 10 vite më parë ishte në përfundim të studimeve të ekonimisë, sot është e doktoruar në ekonomi dhe punon si kontabiliste e licencuar federale e ekonomisë dhe pedagoge në Universitetin e St. Gallenit. Ajo kishte ardhur në Zvicër si vajzë 9 vjeçe nga Gjilani për t`iu bashkuar prindërve të cilët para kësaj kishin ikur nga Kosova si të përndjekur politikë.
Prej 6 vitesh Shqiponja punon në selinë kryesore të KPMG në Cyrih, ndërmarrje e madhe globale për kontabilitet dhe konsulencë. Vetëm në Zvicër KMMG ka mbi 1800 punonjës. Aty Shqiponja bën bilancet vjetore të koncerneve që kanë miliarda në pronësi ndërsa krahas kësaj udhëheq edhe kualifikimin për auditim.
Shqipe Bajrami kishte qenë studente kur, në vitin 1994, e kishte brakturur Kosovën me nënën dhe pesë vëllezërit e motrat e saj për t`iu bashkuar babait që ishte në Chur të Graubündenit. Nuk e dinte asnjë fjalë në gjuhën gjermane por shpejt mbaroi maturën dhe pastaj filloi studimet në gjermanistikë, të drejtën ndërkombëtare dhe shkencat politike. Krahas studimeve, ajo përkthente për autoritetet shtetërore. Pas diplomimit, një kohë ka punuar si punonjëse shkencore në nivel komune, kantoni e federate, këshilltare juridike dhe si docente mysafire. Në vitin 2015 ka provuar veten si kandidate për Parlamentin Nacional të Zvicrës nga Kantoni i Cyrihut për partinë CVP, transmeton albinfo.ch. Ndonëse nuk qe zgjedhur, ajo thotë se “përvojat kanë qenë aq pozitive sa që do të kandidonte sërish”.
Por si janë ato sot, si ndihen? “Mirë, shumë mirë”, thonë të trija. Ndonëse kjo është shprehja me të cilën përgjigjen të gjithë shqiptarët, edhe kur nuk janë mirë (vëren autori), në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një formalitet.
“Kur Shqiponja flet për fatin e saj të madh, ajo nuk e ka fjalën për ngritjen e shpejtë në karrierë por për familjen. “Unë kam bashkëshortin dhe dy fëmijë të shëndetshëm”. Këtë mund ta thotë edhe Shqipe Bajrami Grohs, e cila aktualisht është në pushimin e lehonisë. Bashkëshorti i saj është profesor i shkencave poilitike dhe për këtë arsye janë shpërngulur nga Cyrihu në Karlsruhe të Gjermanisë. Fakti se ai është gjerman, nuk ia vlen të diskutohet. Martesat binacionale ndoshta në vitin 2008 mund të kenë qenë përjashtime por në vitin 2018 ato janë normale. Së paku në rrethin e të njohurve të saj”, thotë Shqipja.
Edhe Ylfete Fanaj është e martuar prej një viti, “E di se tash vjen pyetja për kombësinë e burrit tim. Për përditshmërinë time kjo nuk luan asnjë rol e përse kjo do të ishte e rëndësishme për të tjerët? Nëse ai do të ishte shqiptar, do të thoshin: aha, edhe pse të integruar mirë, në fund këta martohen sërish mes vete. E nëse ai është zviceran, atëherë thuhet: ky është kulmi i integrimit. Të vlerësohet nacionaliteti në këtë mënyrë, është diçka të zemëron”.
Të tri gratë e suksesshme flasin në vazhdim për atë dilemën që i ndjek përjetësisht migrantët, për identitetin. Si ndihen: si shqiptare, kosovare apo zvicerane? Ato theksojnë se është një pyetje bezdisëse me të cilën u është dashur të ballafaqohen që nga fëmijëria, pasi që gjithmonë janë pyetur nga rrethi se prej nga vijnë ose u është kujtuar se nuk janë `tamam` zvicerane, transmeton albinfo.ch. Por, siç e thotë Shqiponja “këtu (në vendin e saj të punës) askujt nuk i intereson prejardhja e punonësve: sa më lart, aq më pak. Edhe ashtu gjysmën e kohës asaj i duhet të flasë anglisht në vendin e punës.
Sa i përket 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, tri protagonistet e artikullit e pranojnë se nuk ka shumë arsye për festim. Por megjithatë, ato thonë se tash së paku mund të udhëtojnë në atdheun e tyre pa pasur frikë për jetën e tyre. “Unë e kam përjetuar pastrimin etnik në shkollë”, thotë Shqiponja Isufi. “Këtë frikë bazike nuk e kam më”. Por megjithatë ajo nuk mund ta imagjinojë një kthim në Kosovë.
Shqipja thotë se kur është kthyer në Kosovë për herë të parë pas 14 vitesh, atdheu i ishte bërë i huaj. Shtëpitë nga koha e fëmijërisë ishin skatërruar, familjarë të afërm ishin vrarë, shumë të njohur kishin ikur jashtë vendit… Por megjithatë ajo mund ta paramendojë që për një kohë të jetojë atje. “Sidomos nëse në Kosovë kanë nevojë për një eksperte të të drejtës ndërkombëtare me elan dhe me prirje për diplomaci”, shprehet Shipja.
Ndërsa Ylfetja ka këtë rrëfim: “Në fillim kisha shpresë se njerëzit e shikojnë më mirë shtetin e ri pasi që ai megjithatë u takon atyre”. Ajo thotë se është e gatshme të shkojë për disa vite dhe të kontribuojë në ndërtimin e vendit, pasi që ndryshimi duhet të bëhet në vendin e ngjarjes. Por së fundi shpresat e saj kanë humbur. “Letargjia është e madhe, njerëzit ndihen si të lënë në baltë. “Unë dua të jetoj tash”, dëgjon ajo të thonë të afërmit në Kosovë, kur përpiqet t`u shpjegojë se 10 vjet janë pak për zhvillimin e një shteti. Pastaj korrupsioni është bërë pjesë e mentalitetit jo vetëm të klasës politike por edhe të popullit. “Të afërmit e mi ankohen për korrupsionin por edhe ata bëjnë “pazar” me policët për gjobat e shqiptuara dhe më thonë se `kështu është në Kosovë`. Shumë njerëz presin që të gjitha t`u vijnë nga të tjerët dhe jo nga vetja…
Për fund, duke folur për ndryshimin e imazhit të shqiptarëve të Zvicrës gjatë këtyre dhjetë viteve, Ylfete Fanaj thotë se nuk dëshiron të bëjë optimisten por ndryshimet pozitive janë të dukshme. Kështu, nëse titulli i një artikulli para dhjetë viteve do të ishte: “Përse kaq pak shqiptarë në Zvicër kanë sukses dhe shumë sish nuk kanë”, ai sot do të tingëllonte ndryshe: “Përse shumë shqiptarë kanë sukses në Zvicër dhe vetëm pak sish nuk kanë”.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor