Lajme

Trevjetori i pavarësisë, pa manifestime institucionale

Në mungesë të krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, Qeveria nuk ka ndonjë agjendë të saktë të festimit të kësaj dite

 

Qeveria në largim e Kosovës me në krye Hashim Thaçin nuk ka planifikuar asnjë aktivitet të organizuar institucional për të shënuar përvjetorin e tretë të shpalljes së pavarësisë.

 

Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi, ka thënë se mungesa e institucioneve të reja ka bërë që ekzekutivi të mos ketë hartuar ndonjë agjendë  për hir të trevjetorit të pavarësisë. “Në mungesë të krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, Qeveria nuk ka ndonjë agjendë të saktë të festimit të kësaj dite, për shkak se mungesa e institucioneve ka ndikuar në shumësinë e aktiviteteve, por megjithatë do të jenë disa evenimente për të shënuar Ditën e 17 Shkurtit”.

 

Krasniqi ka thënë meqë nuk është përpiluar një agjendë për punën e shënimit të përvjetorit të pavarësisë, atëherë të mos jetë ndarë asnjë fond për mbulimin e ndonjë aktiviteti.

 

Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008. Deri më tash Kosovën shtet e kanë njohur gjithsej 75 vende. E fundit që e ka bërë atë është Sulltanati i Omanit. Njohja nga ky shtet ka ardhur ditën e katërt të këtij muaji.