Lajme

Trendi i ngritjes së çmimeve këtë vit, si vitin e kaluar

Trendi i rritjes së vrullshme të produkteve elementare ushqimore, pak a shumë edhe në këto ditë të shkurtit, po mbi-sundon thuaja në shumicën e shitoreve, marketeve të vogla dhe supermarketeve në Kosovë. Gjithandej dhe përditë po shënohen çmime të reja, të ngritura dhe thuaja të papërballueshme për kosovarin shumicë të varfër, dhe jo pak edhe me varfëri ekstreme.

Trendi i ngritjes së çmimeve të shumë produkteve, sidomos të produkteve bazike ushqimore në fillimvitin e 2022-tës nuk ndalet fare. Përkundrazi, ka marrë hov edhe më shumë ky trend dhe sikur po garon me vitin 2021, i shquar dhe i vlerësuar si vit rekord i çmimeve të rritura pothuajse të gjitha produkteve dhe shërbimeve. Nuk ka ditë, tani në shkurt, që nuk ndodhin ngritje çmimesh.

Dje te dyqanet e KonSonit një paketim prej 30 copë vezësh tregtohej me 3,30 euro, ndërsa s’është java që produkti i njëjtë shitej me 3 euro, edhe ky çmim pothuajse i dyfishuar krahasuar me disa muaj më herët të 2021-tës. Një melmesë Vegeta, 100 gramshe, që pak ditë më parë ka kushtuar 1,09 centë, dje në megamarketet e Viva Freshit shitej me 1,39 centë, ndërsa një bukë integrale e gatuar nga SPAR, në marketin e të njëjtës kompani tregtare në Taslixhe të Prishtinës nga 80 centë sa kishte çmimin dy-tre ditë më parë, tani shitet saktësisht 1 euro. Ky është trendi i rritjes së vrullshme të produkteve elementare ushqimore, ndërkohë që pak a shumë ky trend po mbisundon thuaja në shumicën e shitoreve, marketeve të vogla dhe supermarketave në Kosovë. Gjithandej dhe përditë po shënohen çmime të reja, të ngritura dhe thuaja të papërballueshme për kosovarin shumicë të varfër, dhe jo pak edhe me varfëri ekstreme.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për vetëm një vit, çmimet e produkteve më bazike ushqimore e të shërbimeve kanë prekur rekorde të reja në vend. Në raportin më të fundit të ASK-së “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar 2022, shihet se indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.9% në muajin e parë të vitit 2022, krahasuar me muajin paraprak, pra se në dhjetor të vitit 2021.

Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë muajit janar 2022, çmimi i bukës dhe i drithërave është rritur për 1.2 për qind, ndërsa çmimi i mishit është ngritur për 1.3 për qind. Rritje në çmim shënuan edhe qumështi, djathi dhe vezët me 1.5 për qind (çmimi I vezëve në shkurt është ngritur 10 për qind), vajrat dhe yndyrat ushqimore me 1.7 për qind, perimet me 6.3 për qind, kurse uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet shënuan rritje prej 0.6 për qind. Krahas rritjes së këtyre produkteve bazike, u rrit edhe çmimi i duhanit me 1.2 për qind, poashtu edhe çmimi për furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin u rrit për 1.4 për qind. Ndfërkohë, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake u ngritën për 1.4 për qind, ndërkohë që çmimet e karburanteve dhe lubrifikantëve për pajisjet e transportit personal gjatë kësaj kohe u rritën për 2 për qind. Edhe çmimi i shërbimeve për transport shënoi një rritje prej 2.3 për qind, ai i shërbimeve hoteliere u ngrit për 1.4 për qind, si dhe ai për kujdes personal për 2.7 për qind. Në këtë mënyrë, del norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2022 në krahasim me muajin janar 2021 të jetë 7.1 për qind, ka transmetuar Buletini Ekonomik.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2022 në krahasim me muajin janar 2021 ishte 7.1 për qind, përcjell Buletini Ekonomik. Shkalla e lartë e inflacionit shpjegohet të jetë si pasojë e ngritjes së çmimeve të konsumit në janar 2022, siç është buka dhe drithërat, të cilat shënuan një rritje prej 14.9 për qind krahasuar me janarin 2021, kurse çmimi i mishit u rrit për 7.6 për qind, ndërsa çmimet e qumështit, djathit dhe vezëve shënuan rritje prej 9 për qind. Këto janë faktet. Është fakt, po ashtu, se institucionet e shtetit, ato kompetentet, fare pak janë duke u preokupuar me këtë problem të mprehtë, me valën kaq të vrullshme të ngritjes së çmimeve, që domosdo është me pasoja për zhvillimet ekonomike, mirëqenien e kosovarëve dhe thellimin e varfërisë së tyre.

“Me çmime inflative si këto, ky vend veçse po futet në krizë”, tha këto ditë kreu i një subjekti politik opozitar. Dhe, ka të drejtë. Sepse, asgjë më shumë se sa rrezikimi i mbijetesës dhe mirëqenies nuk rrezikon të prodhojë kriza.

Ngritja e pakontrolluar, në të shumtën pa arsye, së paku në përqindje kaq të mëdha dhe rekorde e çmimeve të produkteve bazike ushqimore e vështirëson goxha shumë jetën normale të kosovarëve shumicë. Për qytetarët e këtij vendi, e sidomos kosovarin e rëndomtë, atë të varfërin i cili mezi ia del ta sigurojë bukën e gojës, dhe të tillë janë shumica e kosovarëve. Ç’është më keq, në bazë të paralajmërimeve për çmime të reja të ngritura së shpejti të produkteve elementare, po e presin ditë edhe më të ngrysura varfanjakun kosovar, kohë edhe më shqetësuese sa i përket ecurive dhe zhvillimeve në sferën e çmimeve, e që drejtpërsëdrejti reflektohet në mirëqenien e tyre dhe në jetën sociale të shumicës së banorëve të Kosovës.

Paralajmërime dhe tendenca për ngritje të egra dhe enorme të çmimeve pati edhe në shumë vende të rajonit. Por, në to shteti, institucionet e tij, ia pren hovin ngarendjes për të ngritur çmimet egërsisht. Në Maqedoni të Veriut dhe në Serbi, ta zëmë, për disa muaj u ngrinë çmimet e produkteve bazë ushqimore. Në shtetet më të pasura, si në Hungari e Francë, u stopua për një kohë ngritja e çmimeve të karburanteve dhe e energjisë elektrike etj. Ndoshta është koha që edhe të ndërmerret një hap i tillë, i ngrirjes së përkohëshme të çmimeve të produkteve elementare ushqimore, siç vepruan fqinjtë tanë. Të përcaktohen çmimet më të larta të prodhimeve bazë ushqimore-të bukës, sheqerit, miellit tip 400, të vajit nga luledielli, të qumshtit me 2,8 për qind, 3,2 dhe 3,5 për qind yndyrë, të mishit të freskët dhe të mishrave të thata, si dhe të djathit. Dhe sipas këtij vendimi të parandalohet shtrenjtimi i produkteve bazë dhe i njëjti të vlejë për çmimet e vendosura deri në një periudhë të caktuar.

Ky vendim mbase duhet marrë edhe për shkakun se në Kosovë tashmë shumë persona kanë mbetur pa punë si pasojë e pandemisë dhe tani nuk arrijnë të gjejnë punë, për të përmbushur nevojat më elementare për familjet e tyre. Me mijëra persona kanë mbetur pa punë, me qindra-mijëra biznese janë mbyllur nga pasojat e pandemisë, ndërsa janë shtuar ndjeshëm numri i njerzëve dhe familjeve që kanë nevojë urgjente për asistecë dhe ndihmë sociale.

Mbi 80 mijë të papunë janë të regjistruar në Agjencinë e Punësimit në Kosovë, dhe shumica nga ta janë të pakënaqur edhe me asistencën sociale, meqë, siç thonë, me paratë që marrin, nuk arrijnë të blejnë as gjërat më elementare për jetë, për shkak të rritjes së çmimeve të prodhimeve. Këto janë shkaqet dhe arsyet qe të mendohet nga vendimmarrësit për ‘ngrirjen” përkohësisht, në një periudhë të caktuar, të çmimeve të produkteve bazë ushqimore në Kosovë. Ose të gjendet edhe ndonjë zgjidhje më e mirë, e mundshme. Ndryshe, me këtë trend të ngritjes së çmimeve egërsisht dhe me arsyetime të paqëndrueshme nuk mund të përballohet kriza e pritshme. Sa dihet deri më tash, çmimi i energjisë elektrike i ngritur tani, nuk do të prekë prodhuesit dhe bizneset e Kosovës, ndërsa pretekstin e parë që e dëgjon për çmime të reja është çmimi i rritur i rrymës.