Lajme

Tregut gjerman të punës i mungojnë shumë ekspertë

Gjermanisë i mungojnë afro 300 mijë specialistë në fushën e IT-së, teksa sipas institutit IW, mungojnë edhe shumë ekspertë të tjerë.

Tregut gjerman të punës i mungojnë ende ekspertët në fushat më të rëndësishme shkencore dhe teknike, sipas raportit të fundit të Institutit të Ekonomisë Gjermane IW. Aktualisht ka një mungesë prej 285.000 specialistësh në të ashtuquajturat profesione MINT (që do të thotë matematikë, informatikë, shkenca natyrore dhe teknologji), shkruan DW, përcjell albinfo.ch.

Prej tyre 132.100 u përkasin punëtorëve të kualifikuar me diplomë të shkollës së mesme dhe 122.300 vende pune të ekspertëve me arsim të lartë, pra me diploma universitare. Krahasuar me numrin rekord të shtatorit të vitit 2018, mungesa e ekspertëve në fushat e MINT është ulur me rreth 15,5 për qind, por ky është shtatori i katërt me numrin e mungesave më të mëdha, që nga fillimi i matjeve të tilla.

Autorët e studimit e kanë shpjeguar rënien e lehtë të kërkesës për ekspertë në fushën MINT pjesërisht me dobësimin e ekonomisë në Gjermani, sepse ekonomia gjermane aktualisht është në recesion.

Sipas studimit, rënia e ekonomisë ndihet edhe në sektorin e numrit të vendeve të lira të punës në shumë fusha, pra edhe në profesionet e MINT.

Studimi sheh nevojën më të madhe për fuqi punëtore profesionale në fushën e energjisë dhe në atë elektrike, ku ka një mungesë prej rreth 81.900 ekspertësh.

Paga mesatare mujore (bruto) e një eksperti me diplomë universitare dhe që punon me kohë të plotë në fushat MINT ishte rreth 5.900 euro në vitin 2021, që është mesatarja për ekspertët me arsim universitar. Por ekspertët me një diplomë universitare në fushat MINT janë shumë më shpesh në pozicione drejtuese, sesa njerëzit e tjerë me diploma akademike. Përqindja e këtyre personave në pozitat drejtuese është 35 për qind.

Autorët e studimit shohin një nevojë në rritje për ekspertë.  Ekspertët e IT do të jenë në veçanti të rëndësishëm në pesë vitet e ardhshme në fushën e zhvillimit të teknologjive dhe produkteve në përputhje me mbrojtjen e klimës. Nevoja për ekspertë të MINT po rritet çdo vit edhe për arsye demografike.

Aktualisht, çdo vit dalin në pension rreth 64.800 ekspertë me diplomë universitare në fushat MINT, e këto pozicione duhet të plotësohen. Numri i njerëzve që u regjistruan në një nga lëndët MINT ka rënë nga 198.000 në vitin 2016 në 176.300 në vitin 2022.

Autorët e studimit kanë dhënë propozime konkrete për zgjidhjen e situatës. Ata rekomandojnë se është e rëndësishme të merren më shumë gra për profesionet e fushës MINT. Për këtë, do të ishte e dobishme të krijohej një sistem informimi më i mirë në shkolla, në mënyrë që “vajzat dhe të rejat të njohin më mirë aftësitë e tyre në profesionet MINT”.

Përveç kësaj, është e nevojshme të përdoret edhe potenciali i të huajve dhe për këtë duhen shfrytëzuar më mirë mundësitë që jep ligji i ri për ardhjen e ekspertëve duke “përshpejtuar ndjeshëm proceset burokratike”. Për të arritur një përdorim më të mirë të imigracionit nëpërmjet sistemit arsimor, duhet të rriten kapacitetet dhe të zgjerohen programet dhe mbështetja financiare për pjesëmarrësit në arsim nga jashtë.

Në anën tjetër, sipas tyre, edhe sistemi arsimor duhet të përmirësohet dhe për këtë qëllim, ata propozojnë forcimin e arsimit që në fëmijërinë e hershme, zgjerimin e ofertave cilësore gjithëditore dhe vënien në dispozicion të burimeve financiare për mbështetjen individuale të fëmijëve dhe të rinjve nëpërmjet “indeksit social”.