Lajme

Tregu i Kosovës po e mban “gjallë” Maqedoninë

Qendra Maqedonase e Biznesit në Prishtinë, si duket, po e kryen me sukses misionin e saj, për tërheqjen e kompanive të Maqedonisë për të hyrë dhe investuar në tregun kosovar.

Kjo përfaqësi, e cila është logjistikë për kompanitë nga Maqedonia dhe funksionon në kuadër të Qendrës për Zhvillimin e Sipërmarrjeve, është bërë për shkak se ky vend po paraqitet si një treg i madh dhe shumë atraktiv për bizneset e Maqedonisë, njofton agjencia e lajmeve INA.Jovan Maxhovski, menaxher rajonal për Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, ka thënë se Shërbimet e kësaj qendre deri tani i shfrytëzojnë një numër i madh i kompanive.

Kosova importin më të madh të mallrave e ka nga Maqedonia, rreth një e katërta e importit të përgjithshëm, ndërsa Maqedonia eksportin më të madh e ka në Kosovë.Shpesh është thënë se tregu i Kosovës ka mbajtur gjallë kompanitë maqedonase, jo vetëm në dyvjetorin e fundit kur ka përfshirë kriza globale, por që nga vitit 1999 e këtej.

Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Maqedonisë, nga janari deri në shtator të vitit të kaluar Maqedonia ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 328 milionë euro, që shënon rritje të dukshme në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2009 kur është shënuar eksport në vlerë prej 206 milionë dollarë. Derisa në nëntë muajt e parë të vitit 2010 nga Kosova në Maqedoni janë eksportuar mallra në vlerë prej rreth 15 milionë dollarë.

Oda Ekonomike e Maqedonisë për vitin 2011 këtë vit parashikojnë rritje akoma të eksportit të Maqedonisë në Kosovë, sidomos të prodhimeve bujqësore.Mungesa e ofertës më të madhe të prodhimeve bujqësore nga prodhimi vendas dhe konkurrenca e lartë e produkteve të Maqedonisë numërohen si shkaqet kryesore të vazhdimit të trendit pozitiv të eksportit të Maqedonisë në këto dy vende fqinje.

“Presim që me Kosovën edhe më tej të jetë trendi pozitiv i këmbimit tregtar, pasi Kosova nuk ka rrjet të zhvilluar për tregti të lirë, ndërsa në kuadër të CEFTA-s ka qarkullim të vështirësuar me Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe me Shqipërinë”, ka thënë Lubica Nuri nga Drejtoria për marrëdhënie ndërkombëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë.