Shqipëria

Tre të vrarë në një lokal në Memaliaj

Tre persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër i plagosur në Memaliaj pak para mesnatës.

Objektivi i sulmit me armë zjarri në një lokal në Memaliaj rreth orës 23.20 të mbrëmjes së djeshme dyshohet se ishte biznesmeni 74-vjeçar Shyqo Kalemi, por viktima të të shtënave me automatik ngelën edhe dy persona të tjerë, Gledio Muka dhe Marsel Çela, kamarieri dhe një klient i lokalit, 36 vjeç dhe 47 vjeç

Top Channel raporton se pista kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes.

Një person i katërt, Artur Kalemi, 57-vjeçari që gjendej gjithashtu në vendngjarje, ka marrë plagë të rënda dhe gjendet në spitalin e Gjirokastrës.

Autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet, të cilin e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër.

Policia gjithashtu ka ngritur postbllok kontrollesh në të gjitha akset që mund të përdoreshin prej autorëve për t’u larguar në bashkëpunim edhe me drejtoritë e policisë së qarqeve, Fier, Vlorë dhe Berat.