Futboll

Tre futbollistë shqiptarë do ta përfaqësojnë Zvicrën në ndeshjen me Kosovën

Zvicra publikon listën e futbollistëve

Bëhet e ditur se përfaqësuesja e Zvicrës ka publikuar listën për ndeshjet e muajit mars. Helvetikët do t’i zhvillojnë dy sfida miqësore, më 26 dhe më 29 mars, njërën në udhëtim dhe tjetrën në shtëpi, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se sfidën e parë zviceranët do ta zhvillojnë në Wembley ku përballen me Anglinë, derisa tri ditë më vonë në Letzigrund stadium të Zurichut, presin përfaqësuesen e Kosovës.

Ndërkohë, trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, tanimë ka publikuar edhe listën me 25 futbollistë të ftuar për këto dy sfida.

Në listë janë edhe tre futbollistët shqiptarë nga Kosova, Granit Xhaka si kapiten, Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri.

Ndërkohë mungesa e madhe e helvetikëve është ylli i Juventusit, Denis Zakaria.

Për sfidën e datës 29 mars në Zurich thuajse janë shitur të gjitha biletat, teksa pritet që stadiumi Letzigrund të ketë më shumë shqiptarë se sa zviceranë.