Kosova

Tre filmat kosovarë dolën triumfues në festivalin “goEast” në Gjermani

Këta janë tre filmat shqiptarë që u shpërblyen në festivalin “goEast” në Gjermani

Së fundmi, festivali gjerman i filmit “goEast” e përmbylli edicionin e 20-të me ceremoninë online të ndarjes së çmimeve, nga e cila triumfues dolën tre filma kosovarë, përcjell albinfo.ch.

“Në mes”, me regji të Samir Karahodës, mori çmimin kryesor në kategorinë e filmave të shkurtër në Festivalin e Filmit të Evropës Qendrore e asaj Lindore, që mbahet në Wiesbaden të Gjermanisë.

Duhet theksuar se dokumentari në zhvillim i More Raçës, “Home is where the films are”, u shpërblye me grantin për hulumtim, raporton KOHA.

Ndëkohë filmi i metrazhit të gjatë “Zana”, me regji të Antoneta Kastratit, mori çmimin e televizionit “3sat”. Ky televizion është partner medial i festivalit dhe zgjodhi ta shpërblejë filmin që pati premierën botërore në Toronto të Kanadasë dhe ishte propozimi i Kosovës për “Oscar” në gjuhë të huaj.

Ky sukses i trefishtë i filmit kosovar në kohë pandemie është mirëpritur nga regjisorët që e shtuan në sirtarin e tyre edhe një trofe më shumë.

Pavarësisht mundësisë që të organizohet në kushte normale, edicioni i sivjetmë i “goEast” u mbajt online nga data 5 e majit dhe u përmbyll të hënën me ceremoninë e ndarjes së çmimeve. /Albinfo.ch