Lajme

Transport publik falas për të rinjtë nën 24 vjeç në Gjenevë

Subvencionimi do t`i kushtojë kantonit të Gjenevës rreth 32 milionë franga në vitin e parë.

Adoleshentët dhe të rinjtë deri në moshën 24 vjeç tani do të mund të përdorin transportin publik falas në kantonin e Gjenevës, transmeton albinfo.ch. Këtë vendim e ka marrë sot Parlamenti kantonal i Gjenevës.

Pas dy përpjekjeve të dështuara, Parlamenti kantonal miratoi një projektligj përkatës të enjten.

Drejtori i mobilitetit, Pierre Maudet, përshëndeti masën, nga e cila përfitojnë familjet duke ua kthyer atyre fuqinë blerëse. “Është gjithashtu një masë mjedisore që promovon ndryshimin e modalitetit”, ka shtuar ai.

FDP dhe SVP votuan kundër ofertës për transportin falas.

Transporti publik, sipas këtij vendimi, do të jetë falas për të rinjtë që janë duke ndjekur shkollimin (ose kualifikimin profesional) dhe për ata që nuk kanë të ardhura të caktuara, shkruan srf.ch. Të moshuarit dhe njerëzit që marrin përfitime IV (të pensionit të invaliditetit) marrin një zbritje prej 50 për qind në abonimet e transportit lokal.

Rregullat e reja do të fillojnë të zbatohen nga koha kur bëhet ndryshimi i orarit të transportit publik në Zvicër, në mes të dhjetorit. Ato do t`i kushtojnë kantonit të Gjenevës rreth 32 milionë franga në vitin e parë.