Kosova

Trajneri i taekwondo-së në Kosovë goditi me shuplakë garuesen, suspendohet nga federata

Një trajner i Taekwondos nga Kosova ka goditur me shuplakë garuesen tetëvjeçare nga Kosova pas humbjes së kësaj të fundit në Kampionatin Evropian të Taekwondos në Tiranë.

Pamjet janë publikuar në rrjetet sociale, ku shihet se pas humbjes në finale nga Taekwondosja serbe, Nina Savic, garuesja nga Kosova, ajo sulmohet nga trajneri i saj.

Ai është suspenduar për gjashtë muaj nga federate në Kosovë.

“Gjatë garës finale të Valina Fetiut kundër përfaqësueses serbe Nina Saviç, ndodhi një incident që përfshiu atë dhe trajnerin e saj, i cili është njëkohësisht edhe babai i Valinës. Federata e Taekwondo-së së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me Federatën Evropiane të Taekwondo-së, organizatoren e këtij kampionati, mori masa të menjëhershme për të adresuar incidentin dhe në koordinim të plotë në bazë të statutit dhe rregullores së etikës dhe diciplinës, vendosi pezullimin e trajnerit për një periudhë gjashtëmujore në të gjitha aktivitetet e zyrtare nga Taekwondo-ja Evropiane dhe ajo Botërore”, shkruan federata.

Me datë 7-10 nëntor 2024, Federata e Taekwondo-së e Kosovës mori pjesë në Kampionatin Evropian për Kadetë dhe Fëmijë të mbajtur në Tiranë, Shqipëri. Ekipi i Kosovës u përfaqësua nga 12 sportistë të rinj që shfaqën përkushtim, disiplinë dhe aftësi të shkëlqyera në një event evropian kaq të rëndësishëm.

Një nga përfaqesueset e ekipit të Kosoves ishte edhe sportistja Valina Fetiu e cila arriti të shpallet nënkampione në kategorinë e saj.