Sport

Trajnerët ‘ndezin’ finalen

Fernando Santos dhe Didier Deschamps besojnë se do të triumfojnë sonte, në një përballje, që nuk e kanë cilësuar aspak të lehtë

Portugalia dhe Franca ballafaqohen sonte në finalen e madhe të Kampionatit Evropian, ku dy trajnerët janë shprehur shumë optimistë se do të triumfojnë, shkruan albinfo.ch.

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos ka thënë se dëshirojnë të fitojnë sonte. “Jam një tifoz portugez dhe dua të fitoj. Franca gjatë kësaj periudhe ka ndryshuar mënyrën e lojës, por edhe ne jemi rritur shumë dhe kemi futbollistë që dinë si fitohet. Ndaj Gjermanisë ata zhvilluan një ndeshje shumë të mirë. Kanë në skuadër individë që bëjnë diferencën, por gjithashtu luajnë shkëlqyer edhe në grup. Kam thënë gjithmonë që skuadrat favorite për t’i shkuar deri në fund Evropianit ishin tre Gjermania, Spanja dhe Franca. Blutë luajnë në shtëpinë e tyre dhe normalisht janë favoritë, por të fitosh është një tjetër gjë. Lexoj dhe dëgjoj që thonë se kjo nuk është finalja më e mirë e mundshme, por dëshirat nga e vërteta ndryshojnë shumë”.

Portugalia arriti që të kualifikohet deri në gjysmëfinale pa fituar në kohën e rregullt. “Jemi kritikuar shumë për lojën tonë, por nuk do të vinte keq nëse do të fitonim trofeun, dhe të gjithë do të thoshin që nuk e kemi merituar, kjo do të ishte diçka e mrekullueshme. Thonë që luajmë keq, por jemi në finale dhe dua që të gjithë të besojnë te fitorja. Quaresma dhe Ronaldo? Flokët e Ricardos janë fantastikë, një vepër e vërtetë arti. Për Cristianon çfarë mund të them ai është futbollisti më i mirë në Botë”, theksoi Santos.

Trajneri i Francës, Didier Deschamps nuk pret një ndeshje të lehtë. “Është gjithmonë e vështirë të fitosh tituj ose më saktë të fitosh trofe. Të arrish te suksesi me skuadrën kombëtare është një mision shumë më tepër i ndërlikuar se të fitosh me klubet, sepse me ekipet përfaqësuese trofetë për t’u fituar janë vetëm 2 dhe për ta realizuar diçka të tillë duhet të luash ndaj skuadrave më të mëdha të Botës. Ne jemi gati për finalen ndaj Portugalisë dhe duam të fitojmë. Futbollistët e mi ndihen të privilegjuar që mbrëmjen e të Dielës do të zbresin përpara publikut të tyre në Paris me synimin për të fituar trofeun e kampionit të Evropës”.

Ai ka folur edhe për Antoine Griezmann dhe Cristiano Ronaldo. “Unë pres shumë nga Griezmann, ai është një lojtar fantastik kështu që edhe në sfidën ndaj Portugalisë do të luajë në pozicionin e tij të preferuar në sulm. Ai është i aftë të bëjë çdo rol por fakti që po luan aty ku dëshiron e bën më efikas përpara portës. Ronaldo? Ne kemi një plan për ta bllokuar atë. Ai është një nga futbollistët më të mirë në Botë dhe duhet të tregohemi të vëmendshëm me Cristianon pasi mund të na hapë shumë probleme”, u shpreh ish-futbollisti francez.