Maqedonia

Tragjedia në diskotekë, 23 arrestime të reja në Maqedoninë e Veriut

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë kryer sot edhe 23 arrestime në lidhje me zjarrin tragjik që përfshiu një klub nate në qytetin e Koçanit më 16 mars, duke shkaktuar vdekjen e 61 personave dhe plagosjen e rreth 200 të tjerëve.

Në mesin e të ndaluarve janë tre ish-ministra të Ekonomisë, si dhe drejtues aktualë dhe të mëparshëm të Drejtorisë së Mbrojtjes Civile. Mes tyre ndodhet edhe një ministër pa portofol, përcjell albinfo.ch.

Këto arrestime pasojnë ndalimin e mëparshëm të 33 personave, të dyshuar për përfshirje në funksionimin ilegal të klubit “Pulse”, i cili operonte me dokumentacion të falsifikuar, por me vulë zyrtare nga Ministria e Ekonomisë.

Sipas autoriteteve, hetimet kanë zbuluar një zinxhir të gjerë përgjegjësie që shtrihet që nga viti 2012. Në fokus kanë qenë të gjithë ish-ministrat e Ekonomisë që nga ajo kohë, përjashtuar ministrin aktual, që mori detyrën në qershor 2024 dhe është pjesë e koalicionit “VLEN”.