Bota

Trafikuesit e refugjatëve kërkojnë rrugë të reja drejt Evropës

Në bregdetin e Libisë janë mbi 150 mijë refugjatë që po presin përmirësimin e motit për të nisur marshutën nëpër Mesdhe

Bandat ndërkombëtare që merren me trafikimin e refugjatëve drejt Evropës po bëjnë përpjekje për të gjetur rrugë të reja për të realizuar qëllimet e tyre.

Sipas një njoftimi që bën gazeta gjermane “Welt am Sonntag”, shërbimet e sigurimit të shteteve të ndryshme të perëndimit kanë indikacione për devijimin e rrugës së deritashme nga ana e refugjatëve.

Kështu, prej se ka filluar të bëhet forcimi i kufijve të jashtëm të BE-së në Egje, në mes të Turqisë dhe Greqisë, refugjatët duket se po detyrohen të orientohen më tepër në rrugën përmes Detit Mesdhe.

Mediet bëjnë të ditur se qysh tash në qytetet bregdetare të Libisë, më shumë se 150 mijë refugjatë janë duke pritur përmirësimin e motit për të nisur marshutën e tyre nëpër Mesdhe. Në këtë numër, përveç refugjatëve afrikanë përfshihen edhe ata ga Siria.