Kosova

Topalli: Ferizaj do të përfitojë nga përvoja ime zvicerane

“Njohuritë specifike profesionale, aftësitë menaxhuese, korrektësia, konsiderata për drejtësinë, barazinë dhe solidaritetin, mund të më shërbejnë për të qenë në krye të ekzekutivit në Ferizaj, një angazhim prej të cilit do të përfitojnë qytetarët”

Faton Topalli, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë vjen si kandidat për kryetar të Komunës së Ferizajt nga pozita e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje në Parlamentin e Kosovës. Para kësaj, ai për shumë vite ka jetuar në Zvicër, si refugjat politik dhe prej atje sjell një bagazh prej aktivisti politik dhe profesionisti në sferën sociale. Në intervistën për albinfo.ch, Topalli tregon se çfarë e bën ofertën e tij të dallueshme nga ajo e rivalëve të tij në garën e 22 tetorit.

Albinfo.ch: Keni jetuar në Zvicër mbi 30 vite. Përse vendosët që të ktheheshit në Kosovë dhe të merreni me politikë atje?

Faton Topalli: Që nga viti 1978 kur kam filluar të merrem me politikë nuk jamë shkëptur asnjëherë prej saj. Politika ka qenë për mua një kohë të caktuar rezistencë ilegale, një kohë tjetër afirmim i çështjes shqiptare, angazhim për integrim, më vonë ruajtje të vlerave të luftës dhe së fundi përpjekje për ta ndryshuar drejtpërsëdrejti jetën e njeriut në Kosovë. Me kthimin tim në Kosovë ka ndryshuar vetëm hapësira e veprimit.

Albinfo.ch: Para se të futeshit në garën politike në Kosovë, ju keni pasur një përvojë të marrjes me çështje shoqërore në vendin ku keni jetuar më parë, në Zvicër. Çfarë përfiton politika kosovare nga politikanët me përvojë nga jashtë, si rasti juaj? ·

F.T.: Zvicra është një vend i zhvilluar, një vend nga praktikat e të cilit mund të mësojnë shumë ata që duan të mësojnë. Unë kam kryer studimet bazike dhe ato master në Cyrih. Kam kryer punë të ndryshme si në ekonominë private ashtu dhe në fushën publike. Në Zvicër kam qenë aktiv në jetën publike, kam menaxhuar projekte të ndryshme  dhe kam krijuar një reputacion si profesionist i dalluar. Njohuritë specifike profesionale, aftësitë menaxhuese, korrektësia, konsiderata për drejtësinë, barazinë dhe solidaritetin, janë aspekte pozitive të cilat mund të më shërbejnë shumë për të qenë në krye të ekzekutivit në Ferizaj, një angazhim prej të cilit do të përfitojnë qytetarët. Politika komunale lidhet drejtpërsëdrejti me jetën e secilit qytetar. Këtu është vendi ku mund të bësh diçka shumë konkrete dhe të mirë, diçka që mund të jetë e prekshme për secilin qytetar. Unë u ofroj qytetarëve të Ferizajt rregull, pra zbatim të ligjit, shërbime të mira në të gjitha fushat e shërbimeve komunale, bashkëpunim të ngushtë, bashkëqeverisje me grupet e interesi, korrektësi në punë dhe krijim të kushteve për një zhvillim të mirëfilltë të qytetit dhe komunës.

Albinfo.ch: Duke jetuar një kohë të gjatë jashtë vendit, sigurisht që në qytetin ku po garoni, ju njohin më pak se që i njohin ata që kanë jetuar gjithë kohën atje. A mund të jetë kjo një hendikep për një kandidat që vjen nga diaspora?

F.T.: Kjo mund të thuhej për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të vitit 2012 dhe ato të vitit 2013. Tani qytetarët e Ferizajt më njohin mirë. Ata e kanë parë punën time në Kuvendin e Kosovës në të cilin kam qenë njëri prej deputetëve më aktivë dhe i shpallur si i tillë edhe nga soqëria civile.

Albinfo.ch: Është një koincidencë në komunën tuaj që edhe rivali juaj kryesor, Svarça i LDK-së është po ashtu me “prejardhje” nga diaspora. Me çfarë e sfidoni ju Sfarçën? Përse votuesi ferizajas do të votonte për ju e jo për të?

F.T.: Mendoj që jemi personalitete krejt të ndryshme. Z. Svarça ka punuar në fushën e ndërtimit në Gjermani dhe ka drejtuar një biznes të vogël, është marrë me izolime. Për dallim prej tij unë kam studjuar dhe magjistruar në Cyrih, shumicën e punës time profesionale e kam bërë në institucione të Zvicrës, ku saktësia, përkushtimi, puna me plan dhe matja e rezultateve janë esenciale. Në kuptimin e përvojave kemi dallime shumë të mëdha. Se si qeveris z. Svarça qytetarët e Ferizajt e kanë parë. Ata kërkojnë ndryshim. Ndryshimi nuk vjen duke përsëritur atë që ka ndodhur.

Albinfo.ch: Na i numëroni 3 probleme kryesore në Ferizaj, zgjidhja e të cilave varet nga pushteti lokal e që pushtetarët e deritashëm nuk i kanë zgjidhur?

F.T.: Problemet kryesore në Ferizaj janë në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe urbanizmit, sado që ka edhe mijëra probleme të tjera të cilat i shtrojnë çdo ditë qytetarët. Në fakt një mori problemesh në këto fusha kanë ekzistuar edhe më herët, pra edhe para pushtetit të LDK-së, por tani ato vetëm sa janë shtuar. Thënë më konkretisht, sasinë e problemeve e ka shtuar vetë udhëheqja komunale duke e politizuar arsimin dhe përdorur atë për punësim militantësh, duke e ulur nivelin e shërbimeve në shëndetësi dhe duke krijuar qëllimisht kaos urbanistik.

Albinfo.ch: Po ashtu na thuani se cilat janë zgjidhjet që ju i propozoni për ato probleme. Çfarë platforme ofroni ju si VV për pushtetin lokal?

F.T.: Ne kemi 31 zotime që kapin 12 fusha të qeverisjes lokale dhe tri prioritete. Shëndetësia, Arsimi dhe Urbanizmi janë prioritetet tona kryesore. Gjatë qeverisjes sonë arsimi do të depolitizohet dhe drejtorët e shkollave do të zgjidhen nga vetë shkolla dhe jo nga kryetari i komunës e drejtori i Drejtorisë për Arsim. Do të ketë investime në përmirësimin e infrastrukturës, kënde leximi, shkolla atraktive, çerdhe, ndërsa ish Gjimnazin “Ismail Qemali” do ta kthejmë në shkollë të arteve. Në fushën e shëndetësisë kërkohet një organizim i mirë, planifikim i barnave esenciale, mjete për punonjësit mjeksorë dhe laboratore për analiza. Në fushen e urbanizmit do të veprohet sipas ligjit. Ndërtimet vetëm sipas lejeve, lejet do të jenë publike, pra transparencë 100%, do të kemi harta zonale dhe rigjenerim të hapësirave publike nga lagjja në lagje e nga fshati në fshat.

Albinfo.ch: Zgjedhjet nacioanle që u mbajtën në qershor e nxorën VV si subjektin më të fuqishëm më vend. Rrjedhimisht kjo votë ka ngritur fuqinë VV edhe nëpër komuna dhe gjithsesi, edhe në Ferizaj. Por a mendoni se megjithatë karakteri i votës në nivel nacional ndryshon nga ai në nivel lokal? ·

F.T.: Ata që i kanë humbur zgjedhjet e 11 qershorit thonë se ka dallime të mëdha sepse dëshirojnë t’i japin vetes një shans. Unë them që nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Votuesi nuk do ta ndryshojë mendjen brenda një kohe kaq të shkurtë. Gjatë fushatës tani tubimet tona janë shumë më të mëdha se sa në muajin qershor, pra kemi ngritje.

Albinfo.ch: Ekziston një peceptim se VV e ka forcën goditëse shumë të përqendruar në qendër ndërsa në komuna nuk ka shumë kuadro, përveç kur ato dërgohen nga qendra, sikur rasti juaj dhe i z. Kurteshi, tash për zgjedhje. Si i përgjigjeni ju këtij perceptimi?

F.T: Është e vërtetë që forca goditëse ka qenë e përqëndruar në qendër, por mos harroni që qendra përbëhet nga deputetët që vijnë nga komunat. Ne e patëm rastin vetëm në Prishtinë për të treguar se si qeverisim dhe kjo qeverisje doli e suksesshme. Tani do t’i marrim edhe komunat tjera dhe do të dëshmojmë që ne jemi kudo të fortë sepse qeverisim me qytetarët dhe për interesat e qytetarëve.

Albinfo.ch: Për fund: në rast se nuk e fitoni shumicën në raundin e parë, me cilin kandidat/parti do të jeni në balotazh?

F.T.: Për këtë çështje e kam lënë të mendojmë pas 22 tetorit.