E-Diaspora

Tkurrja e shkollës shqipe në Zvicër: Shpresë, marrëveshjet Shqipëri-Kosovë

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike i Kosovës, Dardan Gashi, së bashku me ministrin e Shtetit për Diasporën nga Shqipëria, Pandeli Majko, kanë takuar mësimdhënësit dhe prindërit shqiptarë në Cyrih

Zvicra është njëra nga vendet me më së shumti diasporë, por me numrin më  të vogël të nxënësve që ndjekin shkollën shqipe.

LAPSH-i tha se fajin e kanë prindërit, ngase nuk po i dërgojnë fëmijët në shkollat shqipe, ndërsa kishte mendime nga prindërit se mësimi plotësues nuk është atraktiv, se fajin e kanë mësuesit dhe se mësimi po bëhet me metoda të vjetra didaktike, shkruan albinfo.ch.

Me këto probleme janë ballafaquar të hënën mbrëma në Cyrih ministri i Diasporës kosovare, Dardan Gashi, i cili po qëndron në Zvicër bashkë me homologun nga Shqipëria, Pandeli Majko.

Dy ministrat kanë kërkuar zgjidhje për daljen nga kjo situatë në Zvicër, bashkë me mësimdhënësit dhe prindërit shqiptarë.

“Ne kemi arritur t’i bëjmë bashkë të gjitha ministritë që të punojmë bashkë në dobi të diasporës”, tha ministri kosovar i Diasporës, Dardan Gashi, duke folur për marrëveshjet e nënshkruara nga Tirana dhe Prishtina.

Ministri nga Shqipëria ka shprehur shqetësim para mësimdhënësve shqiptarë në Zvicër për gjendjen jo të mirë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

“Me skenarin negativ me projeksionet që kemi bërë me Shqipërinë dhe njëjtë duhet të jetë edhe për Kosovën, në dhjetëvjeçarin e ardhshëm mund të humbim mbi 200 mijë shqiptarë”, deklaron Majko dhe tregon për marrëveshjet e firmosura ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, transmeton albinfo.ch.

“Kemi firmosur disa marrëveshje me një projeksion që, pos tjerash, kanë për qëllim edhe hapjen e mbi 30 qendrave të përbashkëta të kulturës në vendet ku është përqendruar më së shumti diasporë shqiptare, të cilat do të financohen me një fond  të përbashkët nga të dy vendet”, thotë Pandeli Majko.

Ai ka bërë të ditur se dy ministritë e dy shteteve do të merren me regjistrimin e mësuesve jashtë vendit dhe se është biseduar në ekipe ekspertësh edhe për pagesat e mësimdhënësve.

Majko ka përmendur si lajm të mirë futjen në sistem të pagesave për mësuesit shqiptarë në Nju-Jork dhe një land në Gjermani.

Konkretisht se në çfarë faze kanë arritur marrëveshjet ndërmjet dy vendeve sa i përket mësimit plotësues në gjuhën shqipe, ka folur Avdyl Lipoveci, drejtor i Departamentit për Ruajtjen dhe Kultivimin e Arsimit dhe Kulturës në Diasporë nga Ministria e Diasporës së Kosovës.

Tashmë janë gati kurrikula e përbashkëta Shqipëri-Kosovë, ngase deri tash kanë qenë dy kurrikula, një e Shqipërisë dhe një e Kosovës, më të cilat kanë mësuar nxënësit në diasporë

Pastaj janë hartuar standarde të unifikuara për mësuesit e diasporës, ngase dallojnë nga mësimi i rregullt.

Një pikë që është shumë e rëndësishme për dy shtetet ka thënë të jetë financimi në 22 vende, ku zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe.

“Përpos mësimit plotësues, janë programe edhe projekte të tjera, si shkolla verore, ekskursione veriore, njohëse, që i bëjmë për dy vendet dhe aktivitete të tjera që ne jemi munduar t’i afrojmë fëmijët në Shqipëri dhe Kosovë”, tha Lipoveci, duke paralajmëruar së shpejti një fushatë sensibilizuese në diasporë.

Por, të gjitha këto do të bëhen realitet pas ratifikimit të marrëveshjeve në dy parlamentet, në Tiranë dhe Shqipëri.

Nuk munguan kritikat që ishin të shumta në adresë të LAPSH-in në nivel të Zvicrës për gjendjen e krijuar me mësimin plotësues në Zvicër.

Madje kishte kritika të tilla në këtë takim me dy ministrat e diasporës se LAPSH-i ka mbyllur një paralele në gjuhën shqipe në një lagje të Cyrihut, pastaj se po e shtyjnë Kuvendin zgjedhor në nivel të Zvicrës dhe se po punojnë me metoda të vjetra didaktike.

Për këtë gjendje të shkollës shqipe fajin LAPSH-i ua ka hedhur prindërve, e kjo ka shkaktuar reagime të ashpra të prindërve të mbledhur në ketë takim me dy ministrat nga Tirana dhe Prishtina.

“Ne po përballemi me të njëjtat vështirësi. Gjatë viteve 90-a kemi pasur më shumë nxënës e më pak tekste mësimore, ndërsa tash ndodh e kundërta, kemi më shumë tekste të shkëlqyera didaktike e më pak nxënës. Mësimi plotësues është vullnetar. Prindërit nuk mund t’i detyrojmë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe”, deklaron Nexhat Maloku, duke kërkuar zgjidhje nga shteti në bazë të modeleve të kombeve të tjera.

Ai u ka dërguar ministrave një raport të detajuar për gjendjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër.

Maloku tha se mbetet te vullneti i prindërve dhe duhet të ndërmarrim masa për sensibilizimin e tyre.

Por, për mësuesin Vaxhid Sejdiu, LAPSH-i duhet të depolitizohet dhe të hapet për gjenerata të reja.

“Ne, në bashkëpunim me institucionet duhet të kërkojmë zgjidhjet më të mira. Prindërit që e paguajnë shkollimin e fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe kërkojnë edhe cilësi. Pse të mos ndryshojnë edhe metodat e të mësuarit. Këtu në Zvicër ka potencial që të bëhet një projekt i mirë i shkollës shqipe”, tha Sejdiu.

Nuk munguan as rrëfime suksesi të shkollës shqipe nëpër kantone të tjera të Zvicrës, ndërsa ministri i Diasporës nga Shqipëria bëri të ditur se televizioni shqiptar TVSH do të sigurojë një kanal të veçantë për diasporën dhe se do të ketë një marrëdhënie të veçantë ndërmjet Bibliotekës Kombëtare Shqiptare dhe diasporës, të gjitha këto do të ngërthejnë vetëm një element: mbrojtjen e identitet të shqiptarëve jashtë vendit.

© 2018 ALBINFO.CH
© 2018 ALBINFO.CH
© 2018 ALBINFO.CH