Koronavirusi: çast pas çasti

Tjetër teori se virusi lindi në laboratorin në Wuhan

Ideja që iu besua Kinës një laborator i tillë i rrezikshëm i ka shqetësuar megjithatë mjaft shkencëtarë dhe ekspertë

“Jam i lumtur që ndodhem në Wuhan, qyteti që disa e quajnë “Franca e vogël” e Kinës, dhe zemra e bashkëpunimit franko-kinez”, deklaronte në vitin 2017 kryeministri i atëhershëm i Francës, Bernard Cazeneuve.

Marrëveshja e arritur asokohe parashikonte dërgimin e 50 shkencëtarëve francezë në Wuhan në harkun e pesë viteve.

Por tre vjet më vonë, askush nuk hyri dot më në laboratorin P4 – të cilin francezët praktikisht e dorëzuan duke i lënë kinezëve çelësat në dorë. Sot ky laborator është në qendrën e vëmendjes botërore.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo ka bërë thirrje për një hetim atje pas teorive të shumta konspirative sipas të cilave Covid 19 mund të ketë dalë pikërisht prej andej, transmeton TCH.

Prova të sakta nuk ka. Por edhe Emmanuel Macron thotë se “në Kinë kanë ndodhur përfundimisht gjëra të cilat ne nuk i dimë”, dhe kancelarja Angela Merkel po ashtu ka bërë thirrje për një transparencë më të madhe, përcjell albinfo.ch.

Shqetësimet për sigurinë e kanë shoqëruar laboratorin e Wuhanit që nga lindja e tij si rezultat i bashkëpunimit mes Kinës dhe Francës.

Në vitin 2003, kur SARS goditi Kinën, autoritetet në Pekin deshën që t’i përmirësonin aftësitë e tyre përballë epidemive.

Për këtë arsye u vendos krijimi i P4-tës, ku studiohen patogjenët e klasës 4, që është grada më e lartë e rrezikshmërisë. Provinca e Hubeit ishte një zgjedhje natyrale sepse konsiderohej prej kohësh qendër e bashkëpunimit ekonomik franko-kinez; në Wuhan kanë filial një sërë firmash të njohura franceze përfshirë Peugeot, Renault, L’Oréal, etj.

Ideja që iu besua Kinës një laborator i tillë i rrezikshëm i ka shqetësuar megjithatë mjaft shkencëtarë dhe ekspertë. “Një laborator P4 është si një bombë atomike bakteriologjike” tha për Figaro një burim që preferoi të mbetej anonim.