Shqipëria

Tirana, shumë e kërkuar nga britanikët për t’u vizituar

Në vend të dytë renditet kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, e ndjekur nga Katovica (Poloni), Koshice (Sllovaki), Kaunas (Lituani), Antalia (Turqi), Bari (Itali) dhe Alkmar (Holandë)

Tirana renditet e dyta në destinacionet më të kërkuara vitin e kaluar në faqen “Airbnb” që i kushtohet prenotimit të apartamenteve nëpërmjet internetit, shkruan e përditshmja britanike “The Sun”.

“Mbipopullimi dhe rënia e paundit ka bërë që t’i ikë shkëlqimi disa prej qyteteve kryesore të Europës si destinacione turistike këtë vit”, shkruan “The Sun”.

Megjithatë një gjeneratë e re qytetesh pak të njohura po zënë kreun e klasifikimit, transmeton ATSH.

“Airbnb” ka listuar 10 qytetet, gati të panjohura, që kanë regjistruar numrin më të lartë të prenotimeve në 12 muajt e fundit, përcjell albinfo.ch.

Lviv, në perëndim të Ukrainës, ka shënuar rritjen më të lartë në prenotime vitin e kaluar.

Në vend të dytë renditet kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, e ndjekur nga Katovica (Poloni), Koshice (Sllovaki), Kaunas (Lituani), Antalia (Turqi), Bari (Itali) dhe Alkmar (Holandë).

Moska dhe Lisbona, të vetmet qytete të njohura si destinacione turistike në këtë listë, mbyllin dhjetëshen kryesore.