Kuriozitete

TikTok akuzohet për keqpërdorim të të dhënave të fëmijëve

Aktakuza është ngritur në emër të miliona fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Bashkimin Evropian, të cilët e kanë përdorur aplikacionin shumë të famshëm të videove. Nëse ka sukses, fëmijëve të prekur kompania do të detyrohet që t’ua paguajë me mijëra funte.

TikTok po përballet me një sfidë ligjore nga ish-komisarja për të drejtat e fëmijëve për Anglinë, Anne Longfield, rreth mënyrës se si po i mbledh dhe po i përdor të dhënat e fëmijëve.

Aktakuza është ngritur në emër të miliona fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Bashkimin Evropian, të cilët e kanë përdorur aplikacionin shumë të famshëm të videove. Nëse ka sukses, fëmijëve të prekur kompania do të detyrohet që t’ua paguaj me mijëra funte.

TikTok ka njoftuar se rasti nuk është i drejtë dhe se do ta sfidojë.

“E vërteta ogurzezë”

Avokatët e fëmijëve kanë pretenduar se TikToku i mbledh të dhënat personale të fëmijëve, përfshirë numrat e telefonave, videot, vendndodhjen e saktë dhe të dhënat biometrike pa paralajmërime të mjaftueshme, transparencë apo pëlqimin e nevojshëm sipas ligjit, dhe pa dijeninë e fëmijëve apo të prindërve të tyre se çfarë do to ndodhë me këto të dhëna.

Aplikacioni u është kundërpërgjigjur deklaratave duke insistuar se “privatësia dhe siguria janë prioritetet kryesore për TikTok-un”.

“Zotërojmë rregulla, procese dhe teknologji të forta që ndihmojnë për t’i mbrojtur të informuar të gjithë përdoruesit, posaçërisht adoleshentët. Besojmë se akuzat janë të pabaza dhe do ta mbrojnë këtë veprim me tërë forcën”, është njoftuar nga aplikacioni.

TikTok ka më shumë se 800 milionë përdorues në tërë botën dhe firma e tij partnere “ByteDance” ka fituar me miliarda dollarë vitin e shkuar, pjesa më e madhe e parave kanë buruar nga reklamat.

Akuza është ngritur në emër të të gjithë fëmijëve që e kanë përdorur TikTok-un që nga 25 maji i 2018-s. Fëmijët që nuk duan të përfaqësohen mund të përjashtohen.

Longfield ka thënë për BBC-në se ishte përqendruar te TikToku, ngase, ani pse të gjitha mediat sociale mbledhin të dhëna, TikToku ka rregulla të pazakonta të mbledhjes së tyre.

“TikTok është platformë shumë e famshme që u ka ndihmuar fëmijëve që t’i mbajnë kontaktet me shokët e tyre gjatë një viti jashtëzakonisht të vështirë. Megjithëkëtë, prapa këngëve argëtuese, kërcimeve dhe këndimeve fshihet diçka shumë më ogurzezë”, ka theksuar ajo. Pretendon se kompania është “grumbull i të dhënave i maskuar si rrjet social” që “i ka mashtruar qëllimisht dhe me sukses prindërit”.

Ajo ka shtuar gjithashtu se këta prindër kanë “të drejtë ta dinë” se cilat të dhëna personale po mblidhen nëpërmjet “praktikave të errëta të grumbullimit të të dhënave” të TikTokut.

Rasti po përfaqësohet nga firma ligjore “Scott and Scott”. Partneri, Tom Southwell, ka thënë se beson që të dhënat e mbledhura nga TikToku paraqesin “një shkelje të rëndë të ligjit të mbrojtjes së të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Bashkimin Evropian”.

Verifikimi i moshës

Rasti nuk është i pabazë. Më 2019 kompania kineze ishte gjobitur me 5.7 dollarë nga Komisioni Federal i Tregtisë, për keqpërdorim të të dhënave të fëmijëve. Kompania ishte gjobitur nga Koreja Jugore, shkaku i mënyrës se si i mbledh të dhënat e fëmijëve, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ishte hetuar nga Zyra e Komisionarit të Informatave. Veprimi lidhej me “Musical.ly”, që më vonë ishte shkrirë në TikTok, që me vetëdije ishte bërë vend i publikimit të përmbajtjeve nga përdoruesit nën moshën 13-vjeçare.

TikTok ishte urdhëruar që t’i fshinte të dhënat dhe të vendoste një sistem të verifikimit të moshës. Sipas Zyrës për Komunikime, 44 për qind të 8 deri 12-vjeçarëve në Mbretërinë e Bashkuar e përdorin TikTokun, pavarësisht rregullave që ndalohet qasja e personave nën moshën 13-vjeçare.

Veprimet ligjore

Veprimi ligjor kundër TikTokut ishte iniciuar së pari nga një vajzë anonime 12-vjeçare, vitin e kaluar, e përkrahur nga Longfieldi.

Asokohe Longfield kishte theksuar se ishte duke i pritur rezultatet e ndonjë rasti tjetër pa nisur proceduarat për TikTokun. Rasti ishte sjellë nga drejtori i “Which?”, në emër të katër milionë përdoruesve të iPhones, të cilët, supozon ai, ishin përcjellë në mënyrë të jashtëligjshme nga “Google”. Pavarësisht se është publikuar më 2017, rasti ende nuk e ka marrë dritën e gjelbër dhe pritet që shumë shpejt të nisë seanca dëgjimore në Gjykatën Supreme.