Futboll

Tifozët Kuq e Zi gati të ‘pushtojnë’ edhe Hamburgun

Kombëtarja e Shqipërisë nesër përballet me Kroacinë në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit B të Kampionatit Evropian, Euro 2024

Nga tabori kroat kanë konfirmuar se mbi 20 mijë shqiptarë kanë blerë biletat për takimin e nesërm.

“Më shumë se 20 mijë bileta janë blerë nga tifozët nga Shqipëria. Do të ketë një numër të barabartë të tifozëve tanë dhe tifozëve të tyre në tribuna”, tha Mirko Bebek, president i shoqatës së tifozëve kroatë për mediat e këtij vendi.

Ndërkohë, Tifozat Kuq e Zi janë gati për të mbështetur Kombëtaren në ndeshjen e radhës në “Euro 2024”, përballë Kroacisë, që luhet në Hamburg, transmeton albinfo.ch.

Ashtu sikurse në ndeshjen e parë, ku tifozët mbushën rrugët e Dortmundit, duke na emocionuar të gjithëve me atmosferën e krijuar, edhe të mërkurën, kuqezinjtë do të bëhen bashkë në Hamburg.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, grupi TKZ njofton se do të mblidhen që në orën 09:00 të mëngjesit në “Jan-Fedder-Promenade”, për të marshuar më pas drejt stadiumit ku do të luhet ndeshja.