Lajme

Ticino: Lejohen sërish vizitat në shtëpitë e pleqve

Duke filluar nga java tjetër, vizitat në dhomat e banorëve të shtëpive të të moshuarve do të lejohen përsëri, por me kushte të caktuara

Banorët e shtëpive të të moshuarve në Kantonin e Tiçinos mund të vizitohen sërish në dhomat e tyre si dhe të dalin vetë.  Qeveria e kantonit Ticino ka zbutur të premten masat përkatëse për shtëpitë e të moshuarve, shkruan srf.ch.

Megjithatë, vizitorët duhet të zbatojnë rregulla të rrepta të higjienës dhe sigurisë, transmeton albinfo.ch.

Franco Tanzi, geriatër dhe koordinator i grupit të punës “Shtëpitë e të moshuarve” në kantonin Ticino, ka sqaruar lehtësimet e fundit në konferencën për media që ka mbajtur sot qeveria. Ai e ka quajtur këtë një “arritje të madhe”.

Shumë të moshuar kanë vuajtur nga vetmia gjatë muajve të fundit, për pasojë, jo pak prej tyre kanë humbur vullnetin për jetë.

Kjo gjë  tani duhet të marrë fund: Nga java tjetër, vizitat në dhomat e banorëve të shtëpive të të moshuarve do të lejohen përsëri.

Rregullorja e re ende duhet të miratohet ligjërisht dhe të dërgohet në shtëpitë e të moshuarve, ka thënë Raffaele De Rosa, kreu i Departamentit të Shëndetit dhe Çështjeve Sociale, pëercjell albinfo.ch. Por dekreti duhet të nënshkruhet dhe vuloset deri të premten në mbrëmje.