Opinione

T’i shfrytëzojmë mundësitë ligjore dhe shoqërore të Zvicrës

Komuniteti shqiptar, në kuadër të sitemit politik në Zvicër, duhet të mobilizohet dhe t’i bashkojë votat e veta në zgjedhjet nëpër vendet ku jetojnë, për ta dëshmuar dinjitetin e tyre shoqëror e kombëtar dhe të mos jenë përjashtues të vetvetes

Këtë javë në Berlin u bë konstituimi i Bundestagut të ri me rreth 700 deputetë gjermanë. Kur kryesuesi i seancës lexonte emrat e të gjithë deputetëve gjermanë, dëgjoheshin disa emra turq, kurdë, serbë, kroatë si dhe dallohej prezenca në sallë e një deputeti me prejardhje afrikane. Por, fatkeqësisht nuk pashë dhe as nuk dëgjova një emër shqiptar në listën e madhe të deputetëve gjermanë, edhe pse numri i komunitetit shqiptar në Gjermani konsiderohet të jetë rreth gjysmë milioni.

E njëjta gjë pasqyrohet, fatkeqësisht edhe në Zvicër. Këtu do të thosha se situata është edhe më drastike, kur kemi parasysh numrin e madh të qytetarëve zviceranë me prejardhje shqiptare përballë numrit të popullsisë zvicerane. Nga rreth 8 milionë banorë gjithsej, shqiptarë supozohet të ketë rreth 350 mijë, pra rreth 4.5.%. Në kuvendin zviceran janë futur pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme, që për nga numri janë shumë më pak se shqiptarët, por asnjë shqiptar deri më tani s’ka arritur të bëhet pjesë e Kuvendit federal.

Shqiptarët s’po arrijnë të mobilizohen dhe sidomos t’i bashkojnë votat e tyre në zgjedhjet në vendet ku ata jetojnë. Natyrisht që kemi edhe disa të tillë që janë pjesë e kuvendeve, por të jemi të sinqertë, që janë shumë më pak se sa realiteti të ofron mundësi. Në rastin konkret, për shembull, në qytetin e Cyrihut, që njëkohësisht është dhe Komunë, jetojnë së paku 10.000 shqiptarë me të drejtë vote. Por, deri më sot asnjëherë nuk kishte një këshilltar komunal me prejardhje shqiptare në këtë kuvend.

Natyrisht, dhe këtë gjë duhet theksuar qartë, përkatësia etnike nuk është kompetencë apo vlerë politike që duhet të shtyjë dikë për të votuar apo mosvotuar. Por, megjithatë, pse kuvendet e ndryshme, pra, janë dhe pasqyrim dhe përfaqësim i qytetarëve? Pyetja është se si do përfaqësohet komuniteti shqiptar në politikë? Nga partitë dhe politikanët ekzistues që politikën e tyre ua drejtojnë të gjithë qytetarëve, përmes programeve politike, natyrisht, qoftë të majtë, konservatorë apo liberalë. Aty bëjnë pjesë dhe shqiptarët, brenda spektrit të ideve politike. Por, çështja është edhe më e madhe në këtë rast. Komuniteti shqiptar është më shumë se sa një përmbledhje individësh me ide të ndryshme politike. Është një komunitet që brenda vetes në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe asnjëherë përjashtuese ndaj shoqërisë në tërësi, organizohet në fusha të ndryshme. Ka shoqata të pafund kulturore, klube sportive, lokale apo dhe organizata të ndryshme që i drejtohen në nënyrë të drejtpërdrejtë komunitetit shqiptar në Zvicër.

Mediat zvicerane pothuajse ditë për ditë japin lajme në lidhje me shqiptarët në Zvicër. Politika vazhdimisht në fusha të ndryshme merret me komunitetin shqiptar, qoftë përmes individëve apo dhe organizimeve të ndryshme, siç janë dhe organizatat fetare. Por, të gjitha këtyre debateve brenda dhe jashtë kuvendeve shpeshherë u mungon një zë që përfaqëson komunitetin shqiptar. Sidomos në qytetin dhe kantonin e Cyrihut.

Që diaspora shqiptare mund të organizohet, këtë gjë e ka dëshmuar që herët. Në Zvicër në vitet ’80-a dhe ’90-a janë mbajtur me qindra demonstrata dhe mitingje nga diaspora shqiptare në lidhje me atdheun e tyre. Pastaj, viteve të fundit sidomos u është shtuar edhe apetiti i gjeneratave të reja për aktivizimin e tyre në politikat e ndryshme në atdheun e prindërve të tyre. Zgjedhjet nacionale dhe komunale në dy-tre vjetët e fundit në Maqedoni, Kosovë e Preshevë treguan një mobilizim jo të vogël të shqiptarëve në Zvicër. Pyetja në këtë rast është, pse në politikëbërjen e Zvicrës, në atdheun e dytë të shqiptarëve, nuk ka një mobilizim aq të madh? Natyrisht që partitë politike në trojet shqiptare bartin një përgjegjësi këtu, ata po e shfrytëzojnë lidhjen emocionale të mërgimtarëve me atdheun e tyre. Por, problemet e jetës sonë të përditshme këtu në Zvicër nuk zgjidhen në Prishtinë e Shkup, por në Zyrih dhe Bernë. Rruga e integrimit të shqiptarëve në Zvicër përfundon dhe kompletohet me përfshirjen e tyre në vendimmarrjet politike. Diaspora pastaj nga politika e atdheut të dytë të tyre mund t’u shërbejë edhe më shumë vendeve të origjinës. Shqiptaro-amerikanët kanë dëshmuar herët sa i frytshëm është lobimi politik.

Zvicra si vend me një kushtetutë liberale dhe me një sistem politik që e tërë bota ia ka zili, na jep hapësirën jo vetëm ligjore, por edhe shoqërore që ne si komunitet shqiptar të bashkëpunojmë pa mohuar identitetin zviceran. Bashkëpunimi madje edhe mund të funksionojë përtej vijave partiake, edhe këtu sistemi zgjedhor në Zvicër të jep mundësi. Ndryshe nuk do të funksiononte një bashkëpunim ndërpartiak i komuniteteve të ndryshme në Zvicër, si ai i bizneseve ose i bujqve.

Më 4 mars 2018 Komuna e Cyrihut zgjedh kuvendin e ri. Unë do të kandidoj në top listën e liberalëve, dhe mbështetja e çdokujt është e nevojshme. Jo vetëm për mua, por edhe për kandidatët e tjerë që garojnë në listat e partive të ndryshme. 4 marsi mund të jetë ditë historike për shqiptarët në Cyrih e më gjerë.

*Ky është një opinion i  autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimin e redaksisë