Zhvillim
T’i kthehet besimi popullit
17 shkurti i sivjetshëm më shumë përmendet si një datë zhgënjimin ndaj shpresës së shqiptarëve dhe miqve të tyre, sesa një ditë feste. Fatkeqësisht, Kosova po tregon shenja brengosëse të pamundësisë së të bërit shtet modern, dhe kjo shkon pikërisht në vijën e tezave të atyre që pohonin këtë fakt për ta luftuar pavarësinë e Kosovës. Indikatorët e varfërisë, shpërthimi i pakënaqësive si dhe hovi i ikjes së kosovarëve nga vendi e mbështesin këtë tezë.
Për të kuptuar situatën e vështirë që mbretëron në Kosovë, një pjesë e kritikës e fajëson udhëheqjen vendëse për mospërgjegjësi dhe mosaftësi për ta vënë vendin në binarët e zhvillimit si dhe për nepotizmin e korrupsionin endemik që e ka mbjellë në të gjitha poret e shoqërisë. Ndërsa një pjesë tjetër e kritikës, e cila është minoritare, e ka në sy të keq prezencën ndërkombëtare dhe administrimin nganjëherë kaotik të Kosovës si dhe pengesat e vëna në rrugën e mëvetësimit të saj politik dhe socioekonomik.
Karshi një situate të tillë komplekse përgjegjësia duhet kërkuar pa dilema brenda te vetë kosovarët dhe lidershipi i saj. Mirëpo, një pjesë e shpjegimit të situatës duhet kërkuar edhe në sistemin klientelist të instaluar dhe të konsoliduar që nga administrimi i parë ndërkombëtar të Kosovës, me komplicitetin oportunist të kryekomandantëve të luftës si dhe të ish-aparatçikëve. Ky sistem, në emër të stabilitetit, vështirëson ndryshimin si dhe vënien në vend të shtetit të së drejtës, si parakusht sine qua non i zhvillimit të mirëfilltë. Rasti eklatant i korrupsionit të funksionarëve të Eulex-it dëshmon se gjendja në Kosovë i korrupton të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh se kush janë apo prej nga vijnë. Prandaj, prioritet absolut është që drejtësia të fillojë të funksionojë. Pa drejtësi të pavarur nuk mund të imagjinojmë as zhvillim, e as përgjegjësi politike të askujt. Është fakt se
drejtësia efikase nuk vjen nga qielli, por ajo duhet ta ndërtohet nga vetë kosovarët, me ndihmën e vendeve perëndimore që e kanë shpëtuar Kosovën në momentet më të vështira dhe të atyre që e ndihmojnë pandërprerë zhvillimin e saj.
Varfëria ekstreme e gjeneruar nga sistemi në fjalë dhe keqmenaxhimi i vendit mundësojnë të kuptohen deri në një shkallë pamjet e jashtëzakonshme të kosovarëve që ikin nga vendi i tyre sikurse nga murtaja. Ky episod lë të kuptohet se nuk janë vetëm të varfërit që ikin, por edhe një pjesë vitale e shoqërisë, e cila ndihet e izoluar dhe që ka filluar t’i humbë shpresat se gjendja në Kosovë një ditë do të ndryshojë. Prandaj, krahas masave akute për ta stopuar hemorragjinë e Kosovës (e cila ndoshta edhe e ka zbutur momentalisht presionin politik ndaj qeverisjes vendëse), Kosova duhet të lirohet nga sindromi i emigrimit si zgjidhje kryesore që mundëson ndryshimin e standardit të jetesës e zhvillimit.
Kosovarët ad eternam nuk mund të varen nga jashtë, por decidivisht duhet ta pastrojnë shtëpinë e tyre dhe të llogarisin në forcat e vendit për të shkuar përpara. Kosova dhe kosovarët duhet të lirohen nga sindromi i emigrimit si rrugë të vetme për të ndryshuar gjendjen e tyre dhe të shoqërisë në të cilën ata jetojnë. Mjafton t’i hidhet një sy Prishtinës si dhe emulsionit teknologjik tek ca të rinj për të kuptuar se Kosova ka resurse njerëzore dhe inovuese për t’u zhvilluar nga brenda, por që dikush duhet t’i vlerësojë dhe t’i mbështesë ato. Prandaj, edhe duhet të fillohet t’i kthehet besimi popullit.
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
Jeta në Zvicër
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch