Kosova
Thirrje kujdesi për mërgimtarët: Serbët paralajmërojnë bllokimin e kalimeve kufitare Kosovë-Serbi
Paralajmërimet për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë, deklarata e KFOR-it dhe thirrja MPJD-së
Një orgazizatë e serbëve ka paralajmëruar se serbët nga data 6 shtator do të bllokojnë të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, deri në tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i vendit. Një hap i tillë mund të bllokojë edhe kalimet e të gjithë mërgimtarëve nga Kosova nëpër Serbi dhe kthimin në Perëndim apo dhe hyrjen në Kosovë. Ndaj kujdes dhe planifikoni udhëtimet me kohë.
Kryetari i të ashtuquajturit Asociacioni i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviç, ka paralajmëruar para pak ditësh se nga nesër serbët do të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare me Kosovën.
Sipas tij, bllokada do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit.
Lidhur me këtë paralajmërim ka reaguar KFOR-i.
Sipas tyre, është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme.
“Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë thotë se po i ndjek nga afër zhvillimet aktuale dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Ndërkaq, në përgjigje KFOR-i ka thënë se komente të tjera lidhur me çështjen e paralajmërimit për bllokim kufijsh, mediat t’u drejtohen autoriteteve të Serbisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje të mërkurën vonë shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të, siç tha, paralajmërimeve për bllokimin e rrugëve në Serbi që çojnë drejt vendkalimeve kufitare këtë javë.
Në një njoftim në Facebook, MPJD tha se një i “ashtuquajtur ‘Këshill Organizativ për Bllokada’ në Serbi” ka bërë të ditur se më 6 shtator ka ndër mend t’i bllokojë rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën.
Ajo u kërkoi “të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”.
Ky njoftim vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – duke nxitur edhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare.
Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.
Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se të mërkurën intervistoi pesë persona të lidhur me këto institucioneve paralele.
Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.
Më 2022, serbët në veri i bllokuan rrugët drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë pas arrestimi të një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Ato ishin hequr pas disa javësh.
Para pak ditësh, i ashtuquajturi kryetar i Asociacionit të qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se të premten, më 6 shtator, do të fillojë bllokada e të gjitha vendkalimeve kufitare në Kosovë.
Rojeviq paralajmëroi se bllokada do të vazhdojë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe institucionet t’u kthehen serbëve.
“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha Rojeviq, raporton KoSSev.
Ai tha se bllokada do të kryhet nga qytetarët nga Serbia qendrore, Mali i Zi dhe Republika Srpska, duke përjashtuar qëllimisht serbët që banojnë në Kosovë për – siç pretendon ai – t’i mbrojtur ata nga hakmarrja e mundshme nga Policia e Kosovës.
Ai pretendoi se për këtë plan nuk do të presin ndonjë “ndihmë nga shteti” dhe se nuk kanë nevojë për ndihmën e tyre.
“Nuk presim ndihmë nga shteti dhe as nuk kemi nevojë për të. “Serbët që jetojnë në Kosovë nuk do të marrin pjesë në bllokada që të mos ngacmohen nga policia e Kosovës, por vetëm qytetarët nga territori i Serbisë qendrore, Mali i Zi dhe Republika Srpska”, tha Rojeviq.
Ai madje shtoi se do të sigurohet transport për të gjithë pjesëmarrësit e interesuar nga Beogradi, Novi Sadi, Smedereva, Kragujevaci, Nishi, Krushevci, Vranja, Rashka dhe se automjetet spitalore do të lejohen të kalojnë gjatë bllokadës së kalimit.
Në dritën e mbylljes së pesë institucione paralele serbe në veri nga autoritetet e Kosovës, rreth 300 qytetarë serbë u mblodhën para një objekti që më herët ishte përdorur nga komuna paralele serbe në Mitrovicë të Veriut.
Veprimi i Qeverisë u dënua ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duke e cilësuar vendimin si të pakoordinuar dhe të njëanshëm.
Aksioni i 30 gushtit, i kryer nga institucionet e Kosovës u cilësua si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe po ashtu u kundërshtua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve lokalë në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dhe nga zyrtarët në Serbi.
SHBA theksoi qartazi se veprimet, ndonëse është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës, instrumentalizimi i vazhdueshëm i saj nga Qeveria e Kosovës pa koordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”.
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor