Shqipëria

Thirrja e Edi Ramës për të shtuar numrin e turistëve

Në Gjirokastër, sipas tij, zyrtarisht në 2013 kishte 6900 vizitorë, ndërsa sot ka 40 mijë të tillë

1.5 miliardë euro kanë qenë të ardhurat nga turizmi në vitin 2017, ndërsa Shqipëria u vizitua nga më shumë se pesë milionë turistë.

Kështu deklaroi të martën kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një takim me banorët e Tepelenës, ku u ndal te sfida që del përpara për të rritur njësitë akomoduese në vend dhe për të ofruar një shërbim cilësor.

“Kjo shifër do të rritet dhe pyetja është se si do t’i përgjigjemi ne kërkesës së madhe. Kjo kërkesë nuk është vetëm për detin poshtë, por edhe për bukuritë më lartë. Sfida është jo si ti sjellim suedezet, por si t’i mbajmë aty për disa ditë që të shpenzojnë paratë këtu”, është shprehur Rama, raportojnë mediat vendore.

Në Gjirokastër, sipas tij, zyrtarisht në 2013 kishte 6900 vizitorë, ndërsa sot ka 40 mijë të tillë.

Sipas Ramës, “kjo ndodh pasi aty ka filluar të vihet në punë motori i ekonomisë familjare, përmes hapjes së hoteleve dhe bujtinave”, përcjell albinfo.ch.

“Katër vende numëroheshin ku mund të flije në 2013. Sot të shikosh subjektet e regjistruara në booking.com, një uebsite ku regjistrohen të gjitha strukturat e mikpritjes në botë, janë 67 vetëm në Gjirokastër. Janë ende shumë pak dhe mund të jenë shumë më tepër”, tha Rama.