Shqipëria

Thethi, vendi ku natyra ka shpërfaqur shkëlqimin e madhështisë së saj

“Ky vend dhe kjo kulturë shqiptare i takon përjetësisë…”

Mbresa udhëtimesh

Muhamet Reçica

 

Se Shqipëria vlerësohet ndër vendet që duhet vizituar, nuk ka të bëjë vetëm me detin e saj, por edhe me vendet e bukura malore, të cilat mbajnë mbi shpatulla edhe historinë e gjatë dhe të bujshme të zhvillimit njerëzor në këto anë. Si adhurues i natyrës kisha bërë planin që të përfshihesha në një nga “aventurat” më emocionuese, që kishte të bënte me vizitën e Thethit, destinacion që moti e kisha në agjendë.

U nisëm nga Shkodra në orët e mëngjesit. Në Koplik një tabelë rrugore tregonte drejtimin që duhej ta merrnim për të arritur në Theth. Një rrugë e mirasfaltuar, por e ngushtë, përtej pritjeve dhe larg normave elementare për një vozitje të rehatshme dhe të parrezik…

Jo vetëm rrugës, por edhe në qendrën e fshatit vëreje dyndje turistësh, të huaj dhe vendas. Sado që shenjat e para të vjeshtës mund të vëreheshin, ky fundshtator dhe fillimtetor ishte ende herët për të shijuar ngjyrat e gjalla të vjeshtës, gjethet e atyre drurëve me gjithë shkëlqimin e tyre. Një arkitekturë malore e pashembullt, pothuajse e përkryer, të afronte para peizazhe mahnitëse, me vija të përthyera majash të thepisura që të ndalnin frymën në etjen për t’i shijuar. Sikur sytë të mos ngopeshin nga ato pamje, me ato perla të fshehura në këtë thellësi gjeografike të Shqipërisë që ia vlen të vizitohen në çdo kohë…

Pas një ngjitjeje disakilometërshe në lartësi mbidetare prej 2000 metrash, posa arrije te Qafa e T’thores, ku skaj rrugës ishte përkujtimorja e albanologut Baron, mund të shihje pamje në horizont nga lugina e Thethit dhe rruga merrte teposhtë me kthesa sa të rrëpirëta, po aq të lodhshme që kërkonin një vozitje skajshmërisht të kujdesshme. Në qendër të Thethit kishte objekte të ndryshme, me rrugë të paasfaltuara, nëpër të cilat po lëviznin makina të shumta, sa taksi të banorëve vendas, po aq edhe të turistëve të huaj.

Synim të parë për ta vizituar kishim varrin e albanologut Robert Els, në kompleksin e kishës katolike. Një varr me gurë të natyrshëm, të bardhë, pa glamur, por me një mesazh të fuqishëm: “Ky vend dhe kjo kulturë shqiptare i takon përjetësisë…”

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Kulla e Ngujimit ishte caku i vizitës së radhës. Një objekt i gurtë mbi 400-vjeçar, me tri kate, dëshmonte jo vetëm vjetërsinë e banorëve të kësaj ane, por edhe traditat dhe kulturën organizative të jetës së tyre, mbështetur në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Kulla e ngujimit - Welcome to Albanian Alps

Ciceroni na priti me shumë respekt dhe pasi u ngjitëm në katin lart, u ulëm në ato shtroja të odës tradicionale shqiptare, këmbëkryq, duke na e shpjeguar historinë e kësaj kulle. Sado që kisha lexuar, mënyra bindëse dhe interpretimi aq me themel i traditave të kësaj ane sikur na kthyen në një botë të së shkuarës, e cila sado që tashmë i përket traditës etnografike, po na paraqitej aq e gjallë sikur të ishte funksionale edhe sot…E falënderuam ciceronin dhe dolëm nga ajo kullë duke lënë një pjesë tonën brenda saj…

Ndërsa ecnim drejt ujëvarës së Grunasit, rrugës ende brenda fshatit hasëm në hardhi rrushi, që tashmë ishte pjekur, së bashku me disa pemë thanash, frutat e së cilave na erdhën si të porositura.

Ujëvara e Grunasit në Theth - Into Albania

Banorët vendas ishin shumë të përzemërt dhe tashmë kishin krijuar kulturën mikpritëse të turistëve të ndryshëm. Nuk ngurronin të të tregonin shtigjet e ngushta që të çonin drejt ujëvarës, megjithëse aty-këtu hasje në disa shenja orientuese që tashmë ishin bërë pothuajse të pavërejtshme. Iu kishim afruar ujëvarës, ushtima e ujit që binte nga një lartësi rreth 30 metrash të zgjonte kërshërinë për ta parë, por pjesa e fundit e ngjitjes në nivelin e shtratit të saj ishte tepër e vështirë: gurë të thepisur që kërkonin një ecje gjarpërore dhe shumë të kujdesshme, të lodhte dhe kërkonte kondicion. Megjithatë, mbërritja dhe pamjet e saj të mbushnin me një përjetim të veçantë. Një freski çlodhëse të motivonte për ta shijuar sa më shumë, nga ku niste një shteg me rrjedhën e ujit që merrte teposhtë zhurmshëm nëpër atë shtrat mali shumë të veçantë, plot gurë dhe pafundësisht dredha-dredha…

Syri i Kaltër ishte pika tjetër që kishim objektiv për ta vizituar. Me veturë nga qendra e Thethit vijuam rrugës së asfaltuar drejt vendbanimit Ndërlysaj.

Syri i Kaltër, rikualifikimi infrastrukturor gati në prag të sezonit turistik - ATSH -

Aty ku përfundonte rruga e asfaltuar, na priti një befasi jo e këndshme: për parkimin e veturës skaj rrugës, pa kurrfarë infrastrukture, një person, sipas të gjitha gjasave pa asnjë autorizim dhe në një sipërfaqe pa pronësi, të kërkonte 3 euro! Mbase pakënaqësia shtohej jo nga shuma e kërkuar, sa nga arroganca dhe komunikimi mospërfillës i tij, i cili nuk reflektonte asnjë pikë kulture, por donte vetëm të të merrte lekët, edhe pse ishte thjesht “plaçkë” e pastër…

Në anën e majtë shtrihej një shtrat i gjerë përroi, pa asnjë pikë uji, mbi të dy ura për këmbësorë të lidhnin me brigjet matanë, me dy-tri objekte restorantesh, nga të cilët muzika e lartë jehonte pa asnjë kufizim, duke ushtuar tej për tej bjeshkëve…

The stone bathtubs in Medlysaj of Theth, real natural sculpture - KOHA.net

Shpate madhështore dukeshin përpara. Një grykë mali sikur fshihte diçka, ngase ajo turmë turistësh në lëvizje, sa në ardhje e sa në shkuarje, nuk ndalej. Ia mësymë edhe ne asaj vije tokësore dhe përpara na doli një përrua i thellë e plot gurë të lëmuar e të shumëtrajtshëm, nëpër të cilët rridhte uji që krijonte një gurgullimë të lehtë, por të këndshme. Ishin këto Vaskat e Ndërlysajve, një vend i mrekullueshëm dhe i rrallë, që të magjepste me format, me artin dhe sipërfaqet e atyre gurëve që vetëm natyra di t’i krijojë.

Vijuam shtegun përpjetë atyre maleve, rrëzë asaj lugine dhe pas 50 minutash ecjeje, të lodhshme, në fundin e saj po rridhte një sasi uji që kishte krijuar një ambient të mrekullueshëm gjysmë ujëvarë e gjysmë liqenth, i quajtur Syri i Kaltër. Përballë atij margaritari që më kishte lënë me gojë hapur dhe pothuajse pa mend, u ula në një ulëse të improvizuar druri për të pushuar pak, sado që bukuria e atij vendi magjik fshinte çdo lodhje të përjetuar në ardhje. Një freski e ndjeshme sikur më rigjallëronte forcat dhe etja për të parë dhe për ta shijuar nuk më shuhej dot, ashtu i shtangur isha mahnitur dhe isha zhytur i tëri në shkëlqimin magjik të kësaj perle të natyrës shqiptare… Me gjithë lodhjen e përjetuar, pavarësisht rreziqeve të mundshme gjatë ecjes atyre dhiareve plot gurë, bukuria e këtij vendi, pamjet madhështore përreth dhe ajri e natyra e virgjër sikur të bënin ta përjetoje vetëm çastin e mbërritjes dhe pamjet që ofronte ky vend kaq i bukur, aq i veçantë dhe aq përrallor.

Po ktheheshim, lodhjen pothuajse e kishim harruar dhe gjithë biseda po zhvillohej rreth atyre pamjeve mahnitëse, duke kritikuar mosndërhyrjen në rregullimit të atyre shtigjeve si për ecje, ashtu edhe për sinjalizim më të dukshëm, se kishte pika ku vërtet hutoheshe se ç’ shteg të merrje…

U ndava nga ajo vizitë më i pasur edhe me një përvojë autentike, i kënaqur për bukuritë e pakrahasueshme që përmban natyra shqiptare, por i dëshpëruar me sa pak ka bërë shteti për turizmin, që t’ua lehtësojë qasjen vizitorëve, sado që vendësit shpreheshin të kënaqur edhe me aq asfaltim që i ishte bërë asaj rruge, e cila në të vërtetë e kishte lehtësuar udhëtimin.