Shqipëria

‘The Washington Post’ shkruan për shembjen e Teatrit në Tiranë

Policia u përplas me mbështetësit e opozitës, të cilët ishin duke protestuar kundër prishjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Opozita shqiptare kërkon rrëzimin e qeverisë

Siç shkruan The Washington Post, përcjell Telegrafi, policia largoi nga ndërtesa një grup artistësh dhe disa drejtues të opozitës mëngjesin e së dielës, përpara se makineri të rënda të nisnin shembjen e saj.

Vendimi i qeverisë për shkatërrimin e Teatrit të vjetër Kombëtar, të ndërtuar nga italianët, kur ata pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u kundërshtua nga artistë dhe të tjerë që kërkonin rinovimin e tij.

Një politikan i opozitës tha se 30 persona, përfshirë një gazetar, u arrestuan nga policia. Autoritetet nuk kanë komentuar mbi këtë raport.

Ajo shkruan më tej se pamjet televizive treguan Monika Kryemadhi, drejtuese e një partie opozitare dhe bashkëshorte e presidentit të vendit, duke u futur në një makinë të policisë. Pozita e presidentit në Shqipëri është më së shumti një post ceremonial.

Kreu Partisë Demokratike dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, u bëri thirrje qytetarëve të rrëzonin qeverinë për shkatërrimin e teatrit.