Kosova

The Sun: Po trafikoheshin armë drejt Londrës, bandat shqiptare po “luftojnë” për kontroll

Një sasi e madhe armësh e destinuar për bandat në rrugët e Britanisë është sekuestruar, pasi policia shkatërroi bandën që po merrej me tregtinë e tyre, përcjell albinfo.ch.

Pistoleta e kallashnikovë ishim në mesin e 25 armëve që u gjetën e u sekuestruan në Shqipëri.

Armët dhe municionet do t’u dërgoheshin bandave shqiptare në Britani, të cilat, siç shkruan “The Sun”, po bëjnë luftë territori për drogë e prostitucion në Londër.

Policia shqiptare, që bashkëpunoi me Agjencinë Kombëtare Kundër Krimit e Britanisë, gjeti dërgesat me armë para se të niseshin. Arrestoi edhe pesë persona të lidhur me bandën. Tre prej tyre janë akuzuar për trafikim me armë.

Hetimi i autoriteteve shqiptare dhe britanike u fokusua në Tropojë. Që nga vitet 1990, bandat nga Tropoja janë bërë aktive në komunitetin shqiptar në Britani, shkruan më tej media britanike.

“Grupet kriminale në Shqipëri kanë krijuar arsenal armësh moderne për t’i furnizuar bashkëpunëtorët e tyre në Britani. Armët sigurohen nga Turqia dhe tregu ilegal serb dhe mund të përdoret nga çdokush – përfshirë terroristët”, ka thënë Ervin Karamuço, profesor i kriminologjisë në Universitetin e Tiranës.