Lajme

The New York Times mbështet dy gra për presidente të SHBA-së

Për herë të parë në histori, gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, ka vendosur që t’i përkrahë dy gra për presidente të ardhshme të Shteteve të Bashkuara. Në kundërshtim me traditën, bordi editorial i gazetës së famshme ka vendosur t’i mbështesë dy kandidatet e Partisë Demokratike, Amy Klobuchar dhe Elizabeth Warren.

Votuesit amerikanë duhet të zgjedhin mes tri vizioneve shumë të ndryshme të së ardhmes. Presidenti i tanishëm, Donald Trump, është i qartë sa i përket asaj se ku po e dërgon Partinë Republikane – nativizëm i bardhë në shtëpi dhe njëanshmëri e politikës “America First” jashtë vendit, korrupsion i qartë, ashpërsim i luftërave të kulturave, një sistem i drejtësisë i stërmbushur me idealistë dhe respektim i një të kaluare mitologjike, ku hierarkia në shoqërinë amerikane ishte e përcaktuar dhe e pasfiduar.

Në Partinë Demokratike po zhvillohet një debat jetik mes dy versioneve që mund ta përcaktojnë të ardhmen e partisë dhe ndoshta edhe të kombit. Disa figura brenda kësaj partie e shohin presidentin Trump si një devijim të përkohshëm dhe besojnë se kthimi te një Amerikë më e ndjeshme është i mundshëm. Pastaj, janë ata që besojnë se
Trump-i ishte produkt i sistemeve aq të kalbura politike dhe ekonomike, saqë ato duhet të zëvendësohen.

Ka qenë privilegj për bordin tonë editorial që t’i kalojmë dhjetëra orë duke folur me kandidatët/et, duke ua bërë atyre secilën pyetje që na ka ardhur në mendje. Sidoqoftë, kjo gjë është e pamundur për shumicën e amerikanëve dhe ne dëshiruam që të kemi një bisedë më të fokusuar për publikun. Tash është koha që gara të ngushtohet.

Historia e bordit editorial do të sugjeronte që ne duhet t’ia mbajmë anën kandidatit/es me një qasje më tradicionale për dërgimin e vendit përpara, brenda realitetit të një kornize kushtetuese dhe të një vendi pluralist. Megjithatë, ngjarjet e viteve të fundit e kanë lëkundur besimin edhe të institucionalistëve më të devotshëm. Ne nuk po devijojmë nga vlerat që i mbrojmë, por jemi të shqetësuar nga dobësia e institucioneve që u kemi besuar për forcimin e këtyre vlerave, shkruan “The New York Times”, transmeton Gazeta Express.

Ekzistojnë pyetje legjitime për atë se a është thyer në thelb sistemi ynë demokratik. Zgjedhjet tona po bëhen gjithnjë më pak të lira dhe më pak të drejta, Kongresi dhe gjykatat po bëhen gjithnjë më partizane, vendet e huaja po e vërshojnë shoqërinë me keqinformime, një sasi e madhe e parave rrjedh nëpër politikën tonë dhe liria ekonomike që e bëri të mundur ëndrrën amerikane po venitet.

Edhe modeli radikal, edhe modeli realist meritojnë konsideratë serioze. Nëse ndonjëherë ka ekzistuar koha për të qenë të hapur ndaj ideve të reja, tash është koha. Nëse ndonjëherë ka ekzistuar koha për të kërkuar stabilitet, kjo kohë është tani.

Për këtë arsye, ne i përkrahim mbrojtëset më efektive të të dyja qasjeve. Ato janë Elizabeth Warren dhe Amy Klobuchar, përcjell Albinfo.ch