Lajme

Thaçi për Rambujenë: Delegacioni i Kosovës u tregua i matur duke u besuar partnerëve strategjikë

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka bërë një dedikim me rastin e 21 vjetorit të nisjes së Konferencës së Rambujesë, konferencë kjo e cila ishte mbajtur në dy raunde bisedimesh.

Thaçi nga Facebook-u është shprehur se delegacioni i Kosovës u tregua shumë i matur duke besuar në partnerët strategjikë, njofton Klan Kosova.

”Para 21 vjetësh, si asnjëherë më parë, mori hov adresimi i çështjes së Kosovës në nivelin më të lartë ndërkombëtar.

Pikërisht më 6 shkurt 1999 nisën punimet e Konferencës së Rambujesë, e cila synim kryesor kishte parandalimin e gjenocidit të regjimit të Millosheviqit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.

Kjo konferencë u mbajt në dy runde bisedimesh, por përfundoi pa nënshkrimin e marrëveshjes për të dyja palët.

Delegacioni i Kosovës u tregua shumë i matur dhe i kujdesshëm, si dhe duke besuar në partnerët strategjikë u pajtua me marrëveshjen, e cila solli intervenimin e NATO-s dhe çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës nga regjimi serb.

Anëtarët e ekipit tonë negociator, pavarësisht situatës së rëndë në të cilën ndodheshim, ditën të jenë largpamës dhe vizionarë për të ardhmen e vendit tonë.

Dhe, falë luftës çlirimtare në terren dhe largpamësisë gjatë bisedimeve, si dhe falë përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran! HTH”, përcjell Albinfo.ch