Integrimi

Tetovari synon Parlamentin e Kantonit të Cyrihut

Isak Amza është kandidati tjetër për deputet në zgjedhjet për Parlamentin e kantonit Cyrih në listën e PS-së

Isak Amza, shqiptar me prejardhje nga Maqedonia ia ka mësyrë Parlamentit të kantonit Cyrihut, duke garuar në zgjedhjet që do të mbahen në muajin prill.

Përvoja politike me socialdemokratët i ka dhënë guximin Isak Amzës që të garojë për një vend në Parlamentin Kantonal në Cyrih. Politikani me prejardhje nga Tetova, të cilin e ka kandiduar Partia Socialdemokrate në Cyrih, konsideron se partitë e majta në Zvicër në përgjithësi, janë parti që më shumë kanë krijuar kushte për migrantët që të angazhohen dhe të veprojnë politikisht.

Isaku është anëtar i PS që nga 2005, ndërsa nga viti 2008 nënkryetar i seksionit të  Erlenbachut. Në vitin 2010 ishte kandidat për këshilltar komunal, dhe nga 2010 është delegat i këshillit të përgjithshëm të Partisë Sacialiste në Kantonin e Cyrihut.

Në PS të Cyrihut disa kandidatë shqiptarë

“PS në veçanti ka krijuar struktura të posaçme në të gjitha nivelet partiake (siç është SP Secondos) që të huajt të shprehin potencialin dhe resurset që i mbajnë me vete. PS është shumë e hapur edhe për të huajt. Nëse ia hidhni një sy listës së PS të kantonit të Cyrihut do të bindeni për këtë sepse vetëm me prejardhje shqiptare jemi disa kandidatë”, deklaron Isak Amza.

Ndërsa në rrafshin e politikës në trojet shqiptare, politikani shqiptar thotë se nuk ka rryma që përputhen me konceptet liberale zvicerane.

“Politika shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, me përjashtim në shtetin amë që ka një kufi të mprehtë konceptesh, nuk është e diferencuar në botëkuptime politike aq sa duhet. Programet e tyre nuk i kam lexuar dhe është vështirë me veprimet e tyre të kuptosh kush politizon djathtë e kush majtas (me përjashtim  të Vetëvendosjes dhe LDK-së) prandaj edhe nuk mund të  identifikohem me ndonjë parti gjegjësisht koncept politik”, thotë Amza.

«Mirëqenia të ndahet në mënyrë të drejtë»

Motoja e politikanit me origjinë nga Tetova është: “Mirëqenia të ndahet në mënyrë të drejtë”, çka nënkupton sipas tij forcimin e të drejtave të punëtorëve, arsimim te barabartë për të gjithë, kushte të volitshme banimi edhe për klasat e ulëta sociale si dhe një politikë korrekte tatimore. “Mendoj se këto janë disa nga arsyet pse mua dhe PS-në duhet të na votojnë qytetarët më 12 prill”, arsyeton kandidaturën me socialdemokratët, Isak Amza.

Politikani shqiptar po bën përpjekje që të mobilizojë edhe shqiptarët në Cyrih që të votojnë në këtë njësi zgjedhore.

„Shfrytëzoj rastin që nëpërmjet albinfo.ch të ftoj të gjithë shqiptarët me shtetësi zvicerane që jetojnë në rrethin e Meilenit të shfrytëzojnë të drejtën dhe të votojnë më 12. prill numrin 6 në listën me numër 2″ .

Zvicra ka nevojë për angazhimin e të huajve dhe shqiptarëve

Meqë unë jam me prejardhje shqiptare, angazhimi im do të përqendrohet në drejtimin e shfrytëzimit të aftësive dhe përvojave të migrantëve shqiptarë dhe të tjerë sepse shoqëria zvicerane ka nevojë të madhe për angazhimin e të huajve dhe shqiptarëve për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik  dhe social.

Imazhi i shqiptarëve ne Zvicër nuk e pasqyron realitetin

“Por është fakt se edhe ne shumë pak përpiqemi ta përmirësojmë respektivisht të reflektojmë atë që realisht jemi. Kemi ngecur me integrimin në shoqërinë zvicerane. Në këtë drejtim duhet bërë më shumë, duke mos harruar kush jemi, për t`i bindur vendësit se jemi popull i prosperuar dhe jo siç na prezanton shtypi bulevardesh”, deklaron Isak Amza.

SP-KR-15-Bezirk-Meilen-Amza-Isak

Kush është Isak Amza

Isak Amza vjen nga Shipkovica e Tetovës, ku e ka kryer  shkollën e mesme të mjekësisë ndërsa ne Universitetin e Tetoves ka studiuar biologjinë. Ne vitin 1998 ka migruar ne Zvicër, ku ka vazhduar shkollimin në Marketing dhe Administratë Publike. Isaku punon në Posten Zvicerane. Ai është kandidat i PS-së në rrethinë e Meilenit (Bezirk Meilen) ku dhe kryesisht e ka bërë fushatën zgjedhore.