Kosova
Televizioni gjerman: “Kosova, vendi i parë dhe i vetëm në Evropë, pa gazeta”
"Vdekja e gazetës është tashmë fenomen global. Kosova mund të jetë vendi i parë në botë që nuk ka asnjë gazetë të shtypur, por sigurisht nuk do të jetë i fundit"
Kosova, gjatë kësaj kohe të pandemisë ka “fituar një titull”. Atë të vendit të parë dhe ende të vetëm ku nuk ka asnjë gazetë të shtypur. Është fjala për një rekord të palavdishëm, kur dihet se, me gjithë krizën që po përjetojnë, gazetat po vazhdojnë mbijetesën e tyre, kudo, jashtë Kosovës.
Televizioni gjerman MDR i ka kushtuar një artikull këtij fenomeni.
Tregtia, arsimi, mjekësia: si rezultat i pandemisë, shumë sektorë të jetës aktualisht po pësojnë ndryshime me një ritëm befasues – veçanërisht kur bëhet fjalë për dixhitalizimin.
Në këtë kontekst, janë të prekura edhe gazetat. Qarkullimi i tyre ka ardhur duke u zvogëluar për vite me radhë, dhe gjithnjë e më shumë njerëz po lexojnë dixhitalisht, shkruan portali i televizionit gjerman MDR.
Ndërsa në Kosovën e vogël, kjo ka shkaktuar një përmbysje të vërtetë gjatë pandemisë, transmeton albinfo.ch. Është vendi i parë në Evropë ku nuk ka më gazeta të shtypura ditore.
Gazetari Agron Bajrami viziton shtypshkronjën e gazetës së tij me krenari, por edhe me dhembje. Deri vonë, këtu shtypej çdo ditë “Koha Ditore”, gazeta më e madhe ditore në Kosovë. Bajrami është kryeredaktori i saj. Por tani shtypshkronja po përjeton një ngërç, sepse “Koha Ditore” tani mund të lexohet vetëm në internet.
“Edhe para pandemisë, numri i lexuesve vazhdonte të binte dhe, nga ana ekonomike nuk ishte më e mundur të mbulohej botimi i një gazete të shtypur”, thotë Agron Bajrami.
“Kështu që ne u përqendruam në kalimin e lexuesve tanë nga shtypi në edicionin dixhital.”
“Koha Ditore” ka shitur rreth 10,000 ekzemplarë çdo ditë deri në vitin 2020. Ishte gazeta ditore me tirazhin më të lartë në Kosovën e vogël, me gati dy milionë banorë. Por ashtu si katër konkurrentët, ajo tani ka ndërprerë edhe botimin e shtypur. Megjithatë, korona nuk ishte ajo që shkaktoi problemet në në këtë degë, vetëm i përshpejtoi ato, thotë Bajrami.
“Ajo që përndryshe do të ndodhte pas pesë vitesh, ka ndodhur tani në pesë muaj. Pandemia na ka detyruar të veprojmë më shpejt se zakonisht sepse problemet u bënë gjithnjë e më të mëdha. Presioni u bë i madh brenda natës”.
Agron Bajrami nënkupton rritjen e konsumit të mediave dixhitale, të cilat erdhën si rezultat i përhapjes masive të telefonave inteligjentë dhe internetit në të gjithë vendin, përcjell albinfo.ch.
Përveç kësaj, Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. Mbi gjysma e njerëzve janë nën 30 vjeç. Kjo është arsyeja pse dixhitalizimi po përparon veçanërisht shpejt këtu. Dhe pastaj ndodhi bllokimi nga korona. Për katër muaj, njerëzit mezi dilnin nga shtëpitë e tyre edhe për të blerë gazeta. Publiku “migroi” në Internet ose duke u ulur para televizionit, reklamuesit u tërhoqën. Kjo më tej vulosi fundin e medias së shkruar në Kosovë. Por ndërrimi nuk është i lehtë për të gjithë.
Imer Mushkolaj është gjithashtu gazetar dhe kryetar i këshillit kosovar të shtypit. Ai do të dëshironte të vazhdonte të shfletonte gazetën ditore me kafen e tij të mëngjesit dhe të ndjen keqardhje për këtë ndryshim, veçanërisht duke pasur parasysh popullsinë e moshuar, transmeton albinfo.ch.
“Fatkeqësisht, sot ne jemi i vetmi vend në Evropë – ose ndoshta edhe në botë – pa një gazetë të shtypur ditore. Brezit të vjetër po i vidhet burimi kryesor i informacionit – gazeta e shtypur ditore”.
Edhe Ibrahim Gashi mund ta konfirmojë këtë. Për 35 vjet ai ka drejtuar një kiosk në qendër të Prishtinës, ku shiste gazeta dhe revista. Jo vetëm ai duhet të mësohet me realitetin e ri, por edhe klientët e tij.
“Lexuesit e rregullt tashmë kanë vërejtur se nuk ekziston më botimi i shtypur i gazetave”, thotë Gashi. “Por ndonjëri vjen megjithatë, të paktën një herë në javë dhe pyet nëse megjithatë ka ndonjë gazetë…”.
Pa mbështetjen e qeverisë, gjë që duket shumë e vështirë për krizën e Koronës, askush nuk sheh një rrugëdalje nga kjo. Sidomos pasi vdekja e gazetës është tashmë fenomen global. Vetëm në Gjermani, si shembull, tirazhi i gazetave të shtypura ditore ka rënë për gati 60 për qind gjatë 30 viteve të fundit, përcjell albinfo.ch. Kosova mund të jetë vendi i parë në botë që nuk ka asnjë gazetë të shtypur, por sigurisht nuk do të jetë i fundit.
E-Diaspora
-
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër nis përgatitjet për zgjedhjen e kryesisë së re në janar 2025 Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare po hyn në një fazë të rëndësishme të organizimit të...
-
Sot i jepet lamtumira e fundit mërgimtarit që vdiq në aksident
-
PEN Qendra e Austrisë bën bashkë shkrimtarët nga Ballkani
-
Konsulli Berisha bën bashkë komunitetet fetare dhe klerikët shqiptarë në Zvicër
-
Pas Zvicrës, Hamza do të mbajë takime me mërgimtarët në Gjermani
Jeta në Zvicër
-
Gjërat kryesore që duhet të keni parasysh kur krahasoni tarifat e sigurimit shëndetësor zviceran Nëse po përpiqeni të gjeni çmime më të lira për vitin 2025, mund të shfletoni të...
-
SBB dëshiron të ridizajnojë vagonët e saj për të përmbushur më mirë nevojat e pasagjerëve
-
Çfarë pritet të ndodhë në Zvicër në vitin 2025?
-
Shpenzimet zvicerane për kujdesin shëndetësor – ‘mbi 100 miliardë dollarë’
-
Në Zvicrën gjermanishtfolëse ka mungesë “babadimrash”