Kosova
Të vijë era Shtet
Qeveria kosovare ka punuar në vënien në vend të binarëve ligjorë dhe institucionalë, ku relacioni me pushtetin ndryshon dhe ku thyhet tradita bizantine ballkanase ku shteti e zhvat qytetarin
Në dy vjetët e fundit shtetësia e Kosovës është forcuar. Ky realitet nuk mund të mohohet, pa marrë parasysh logjikën partiake apo afinitetin personal, rajonal apo edhe familjar që mundet secila apo secili ta ketë me figurat politikëbërëse të Kosovës që i shohim çdo ditë në medie apo në rrjetet sociale.
Ekzekutivi aktual i Kosovës ka merita për arritje të rëndësishme, duke filluar nga ngritja, për afro 20 vende, të pozicionit të Kosovës në Transparency international. Ky institucion observon për nga afër shkallën e luftës së korrupsionit, nepotizmit dhe praktikave që nuk e respektojnë rendin ligjor, dhe të cilat janë gangrenë e vendeve të rajonit. Rritja e besimit në institucione është imperativ i shtetndërtimit dhe legjitimitetit të autoritetit publik. Zyrtari publik vepron në suazë të asaj që i kërkon ligji dhe rregulloret, dhe ai apo ajo janë në shërbim të qytetarëve dhe se vetë fjala „funksionar“, nënkupton në shërbim të bashkëkombësve.
Qeveria kosovare që është në pushtet ka punuar në vënien në vend të binarëve ligjorë dhe institucionalë, ku relacioni me pushtetin ndryshon dhe ku thyhet tradita bizantine ballkanase ku shteti e zhvat qytetarin. Aprovimi dhe implementimi i ligjit të ri të administratës publike, efikase, moderne dhe në përputhje me rolin e institucioneve që i implementojnë suazën ligjore dhe vendimet e qeverisë është një arritje e rëndësishme. Pa administratë publike transparente, eficiente dhe demokratike nuk ndërtohet shteti modern.
Me rritjen efektive të buxhetit, Kosova i ka përforcuar po ashtu kapacitetet e mbrojtjes, duke i rritur financimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës. Ky atribut regalian e kompleton panpolinë e nocionit shtet, i cili gëzon monopolin legjitim të forcës, kuptohet që vepron me suaza kushtetuese, ligjore dhe të ndarjes së pushteteve.
Të gjitha këto arritje janë plotësisht në përputhje me pritjet dhe kërkesat e Unionit Evropian, duke i hapur kështu rrugën Kosovës për anëtarësim në Unionin Evropian. Nuk ka vend në këtë mega bashkim politik, ekonomik, social, kulturor, ushtarak, shkencor të shteteve evropiane pa filluar të plotësohen kushtet që suaza evropiane i kërkon. Me një fjalë, aty kompromis nuk ka. Evropianizimi i Kosovës ka filluar, por edhe duhet të vazhdohet me një ritëm të shpejtë për t’u rreshtuar në vijën evropiane.
Është po ashtu fakt se Kosova, si shume shtete të tjera në botë, është ballafaquar haptazi me pasojat e pandemisë, dhe sidomos të luftës në Ukrainë, e cila ka vështirësuar rrugëtimin drejt qëllimit të forcimit të mëvetësisë, sidomos kur dihen pasojat sociale për një vend të varfër si Kosova.
Sfidat brendakosovare mbeten ato që shteti duhet ta ruajë rolin e shpërndarësit të resurseve në favor të shtresave sociale të prekura kosovare, por edhe të krijimit të suazave për forcimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve private. Nuk mund të mendohet për shtetin social, pa krijuar vlerë të shtuar, dhe katalizatorë ekonomikë që ndikojnë në modernizimin e vendit si dhe futjen e Kosovës në ekonominë rajonale dhe më gjerë, ku mbretëron konkurrenca e ashpër. Kosovës i duhet po ashtu vizion i zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, dhe këtë shteti aktual kosovar ende nuk e ka.
Në vendet e Ballkanit, gjeopolitika rajonale i ka rënduar gjithmonë rrjedhat politike të brendshme të shteteve, sidomos të atyre të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Me fjalë tjera, proceset e pambaruara të shtetit të Kosovës me Serbinë janë një element që peshojnë në shtetformësinë e Kosovës, por raporti i forcave në negociata ndryshon karshi Beogradit kur “të vjen era shtet”.
Në këtë konstelacion, duhet shumë kujdes dhe diplomaci aktive që të ruhen dhe të thellohen raportet me fuqitë perëndimore, veçanërisht me SHBA-në, të cilat, siç e dimë, kishin ndërmarrë hapin historik të ndërhyrjes ushtarake dhe çlirimit të Kosovës. Suksesi i mëvetësisë së Kosovës është po ashtu storje suksesi e ndërhyrjes perëndimore dhe pjesëmarrjes së tyre në krijimin e shtetit më të ri evropian.
Autori i editorialit, Dr. Bashkim Iseni, është themelues i platformës Albinfo.ch
Të ngjashme
Opinione tjera
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?