Lajme
Të sjellësh virusin si “suvenir” të rrezikshëm nga pushimet
Magribe Hajdari dhe Hasip Iseni, flasin për ballafaqimin me koronavirusin që e kanë marrë gjatë vizitave të bëra kësaj vere në vendlindje, në Kosovë gjegjësisht në Maqedoni
Verës së sivjetme i erdhi pothuaj fundi por ende nuk po shihet në horizont përfundimi i krizës së koronavirusit. Këtë krizë që tashmë po hyn në muajin e shtatë, mërgimtarët po e përjetojnë me një barrë shtesë: mallit të tyre të përhershëm për të dashurit në atdhe i është shtuar edhe frika për t`i vizituar ata. Të bllokuar nga rreziku i infektimit të tyre dhe familjarëve në vendlindje, në njërën anë dhe nga kërcënimi i karantinës, pas kthimit në Zvicër, në anën tjetër, shumica e tyre kësaj vere kanë hequr dorë nga vizita në atdhe.
Përkundër kësaj, mjaft bashkatdhetarë megjithatë kanë marrë mbi vete rrezikun dhe kanë vizituar vendet e tyre të prejardhjes, edhe në këto kushte. Një numër i madh i tyre kanë sjellë infektimin me vete ndërsa të gjithë, sipas rregullit, duhet të vendosen në karantinë, të vetizolohen.
Albinfo.ch ka kontaktuar disa nga të kthyerit që kanë rezultuar pozitivë dhe që kanë vuajtur pasojat e infeksionit. Shumë prej tyre nuk duan të flasin para mediave ndërsa Magribe Hajdari dhe Hasip Iseni, të vetëdijshëm për seriozitetin e problemit, kanë pranuar të shpalosin përvojat e tyre me koronavirusin që e kanë marrë gjatë vizitave në vendlindje, në Kosovë gjegjësisht në Maqedoni.
Hasip Iseni i cili jeton dhe punon në Zvicër ua pa sherrin pushimeve verore në vendlindjen e tij, në Shkup. 63-vjeçari u bllokua dhe nuk arriti të kthehej në Zvicër pasi që u mbyllën kufijtë. Për më tepër ai edhe u infektua me Covid. Kjo i ka ndodhur para se të hynte në fuqi detyrimi i karantinës në Zvicër për të gjithë ata që vijnë nga vendet në rrezik të përhapjes së virusit. Në një rrëfim për albinfo.ch ai tregon peripecitë e qëndrimit të tij në Maqedoni.
“Jam infektuar nga ata që e mbanin fshehur virusin”
“Isha shumë i kujdesshëm por u infektova nga ata që e mbanin fshehtë virusin nga padituria dhe turpi” rrëfen Hasipi i cili prej 32 vitesh jeton në Zvicër.
Infektimin me koronavirus ai nuk e kishte kaluar edhe lehtë ndërsa edhe trajtimi nëpër spitalet e Shkupit, sipas tij, linte shumë për të dëshiruar.
“Nëse nuk e njihni ndonjë mjek, nuk do të kaloni mirë. Unë kisha fatin që i njihja, por më e keqja është që edhe personeli mjekësor që ishte kompetent kishte migruar jashtë vendit”, thotë Hasipi. Ai shton se përveç trajtimit me medikamente herë pas here kishte pasur nevojë edhe për oksigjeno terapi.
Me gjithë mallin për vendlindjen dhe familjarët, Hasipi sugjeron bashkatdhetarët që mos të marrin rrugë për në Maqedoni apo Kosovë derisa rreziku nga përhapja është ende i madh.
“Jo vetëm që infektoheni por edhe mund ta dërgoni virusin atje. Nuk është vetëm karantina”, thotë Iseni, i cili po i vuan ende pasojat që i trashëgoi nga virusi si: diabeti, humbja në peshë dhe lodhja.
Edhe pas kthimit në Zvicër ai ende po kërkon trajtime mjekësore pas karantinimit 10 ditor në Lozanë.
Me shumë dilema por duke mbizotëruar malli për atdheun e familjen, edhe mërgimtarja Magribe Hajdari e cila jeton dhe punon në Zvicër në muajin korrik vizitoi vendlindjen e saj, Kosovën.
“Para se të shkoja në Kosove e kam pyetur vëllain si është gjendja në familje dhe a më preferon që të vij për t`i vizituar prindërit. Mbasi i kam prindërit mjaft në moshë, e ndieja shumë nevojën për t`i vizituar. Vëllai më tha hajde se këtu në familje ne s`kemi asgjë”, rrëfen ajo për albinfo.ch.
Qëndrimin e saj dyjavor në Kosovë, Magribja nuk e konsideron pushim.
“Të them të drejtën ky nuk ishte një pushim normal, vazhdimisht me tension psikik. Kam shkuar t`i shoh prindërit. nga frika se po vdesin pa i parë më”, thotë ajo.
Magribja bën edhe një krahasim të qëndrimit të saj në Kosovë mes këtij viti dhe viteve të kaluara.
Nga frika e infektimit, nuk shkohet as për ngushëllime
“Në Kosovë të gjithë ikin nga njeri tjetri, askush s`ka dëshirë të ketë kontakte me askënd. Tashmë s`ka vizita familjare pse kanë ardhur mërgimtarët sikur më parë. Edhe pse ndieja mungesën e familjes së gjerë, nga ana tjetër isha mjaft e gëzuar që sa më pak të kem kontakte me njerëz, nga frika se po infektohem në Kosovë dhe atje për punë të mjekësisë e ndieja veten shumë të pasigurt.
“Kishim dy raste vdekje mjaft të rënda ne familjen e gjerë, por nuk shkova as për ngushëllime”.
“Në mbrëmje në Prishtinë në rrugën B tani nuk kishte shumë njerëz, si më parë. Maska nuk bartnin të gjithë. Royal Mall në kohën e drekës ishte pothuaj krejtësisht i zbrazët derisa vitin e kaluar s’kemi mundur të gjenim tavolinë të lirë për t`u ulur me familjarë aty për drekë” vazhdon rrëfimin e saj Magribja.
Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo atmosferë e zymtë në vendlindjen e saj, një ditë para se të nisej për Zvicër ajo thotë të ketë ndjerë disa simptome të lehta të virusit. Ndërsa, me të arritur në shtëpinë e saj në Zvicër ajo hyn në vetizolim. Ndonëse nuk kishte simptoma të theksuara, Magribja thotë të ketë shkuar vullnetarisht për tu testuar me ç` rast rezulton pozitiv. Megjithatē ajo ende nuk e di se ku ka mundur ta ketë marrë virusin por sidoqoftë, është e lumtur që anëtarët e familjes së saj të ngushtë nuk janë infektuar nga ajo.
“Nuk është vetëm karantina…”
Me gjithë mallin për vendlindjen dhe familjarët, Hasipi sugjeron bashkatdhetarët që mos të marrin rrugë për në Maqedoni apo Kosovë derisa rreziku nga përhapja është ende i madh. “Jo vetëm që infektoheni por edhe mund ta dërgoni virusin atje. Nuk është vetëm karantina”, thotë Iseni, i cili po i vuan ende pasojat që i trashëgoi nga virusi si: diabeti, humbja në peshë dhe lodhja. Edhe pas kthimit në Zvicër ai ende po kërkon trajtime mjekësore pas karantinimit 10 ditor në Lozanë.
Ky Artikull është mbështetur nga migesMedia, një projekt i Kryqit të Kuq Zviceran
E-Diaspora
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bern të Zvicrës Reshjet kanë shkaktuar rreth një duzinë aksidente trafiku në rrugët e kantonit, ku fatmirësisht nuk është...
-
Maltina Jashari, garuesja e parë shqiptare në Formula
-
Humor shqiptar në ekranin zviceran, Vedat Bajrami protagonist në “Te Berberi – rritet prap”
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës
-
Normat negative të interesit – çka nëse?
Jeta në Zvicër
-
Si do të përfitojë Zvicra nga pakti i ri me Bashkimin Evropian? Pas nëntë muaj negociatash intensive - dhe disa pika të vështira gjatë rrugës - marrëveshja e...
-
Disa qiramarrës zviceranë mund të presin qira më të ulëta në vitin 2025
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane