Kosova

Të rinjtë e Kosovës po ikin, në katër vjetët e fundit janë larguar mbi 210 mijë banorë

Krasniqi: Kosova në katër vjetët e fundit i ka humbur mbi 210 mijë banorë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se shifrat e regjistrimit të popullsisë kërkojnë veprime politike emergjente, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi ne Facebook, Krasniqi ka deklaruar se përkundër vonesave dhe shtyrjeve të shumta të regjistrimit të popullsisë nga ana e Qeverisë, më në fund Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi numrin e banorëve rezidentë në vendin tonë.

“Pa u lëshuar këtu në saktësinë e shifrave të publikuara, është lajm i keq dhe shumë i dhembshëm që, duke u bazuar në publikimet zyrtare të ASK-së, po konfirmohet se vetëm në katër vjetët e fundit, Kosova i ka humbur mbi 210 mijë banorë”, ka shkruar ai.

Tutje Krasniqi ka shtuar se sipas ASK-së, në vitin 2020 Kosova kishte 1,798,186 banorë. Ndërsa, sot, kjo agjenci publikoi shifrën pikëlluese prej vetëm 1,586,659 banorëve rezidentë.

Sipas tij qytetarët, e veçmas rinia e Kosovës, po e braktisin vendin! Ose, thënë më mirë, Qeveria i ka braktisur ata dhe ëndrrat e tyre.

“Ky lajm i gëzon vetëm ata që nuk ia duan të mirën vendit tonë. Kjo shifër kërkon veprime politike emergjente. Qytetarët tanë meritojnë më shumë dhe më mirë – pranë familjeve të tyre dhe në vendin e vet”, ka thënë Krasniqi.