Kosova

Të regjistruarit në mërgatë largohen nga lista e votuesve brenda Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me informacion të rëndësishëm sa i përket votuesve të regjistruar jashtë Kosovës.

Të gjithë shtetasit e Kosovës që u regjistruan për të votuar jashtë vendit gjatë periudhës 120 ditore, nga 29 gushti deri më 26 dhjetor do të largohen nga Lista e Votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Ky lajm është bërë i ditur për RTKLive nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se ky është detyrim ligjor për KQZ-së nga paragrafi 9 i nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, transmeton albinfo.ch.

Për herë të parë në Kosovë qytetarët kosovarë që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësinë të votojnë më herët se ata që ndodhen brenda vendit.

Kjo është një mundësi e re që u ofrohet mbi 100 mijë votuesve të regjistruar, të cilët kanë zgjedhur një nga tri mënyrat e votimit në distancë.