Lajme

Të premten shënohet pesëvjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës

Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, do të përkujtohet në pesëvjetorin e vdekjes së tij, në dy akademi të ndara.

Njëra do të mbahet nga LDK-ja, ndërsa tjetra do të mbahen nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.

Pesëvjetori i vdekjes së presidentit historik të Kosovës dhe kryetarit shumëvjeçar LDK-së, do të shënohet të premten me disa aktivitete. LDK-ja do të mbajë akademi përkujtimore dhe një aktivitet letrar, me temë veprën kulturore e letrare të Ibrahim Rugovës.

Ndërkaq, nën përkujdesjen e kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, po të premten në orën 12.00, në Teatrin Kombëtar mbahet një tjetër akademi përkujtimore kushtuar Ibrahim Rugovës.

Në të dy përkujtimet parashihet të marrin pjesë personalitetet të larta vendëse e ndërkombëtare, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që fytyrat e njëjta të lëvizin nga njëra në tjetrën.