Shkurt.ch

Të pasurit më të pasur në Gjermani

Pasuria private neto e familjeve gjermane në dy dekadat e fundit është rritur dy herë më shumë dhe shkon në dhjetë bilion euro.

Pasuria private në Gjermani është duke u rritur, ndërkohë që pasuria e shtetit është duke u zvogëluar. Në të njëjtën kohë më të pasurit po pasurohen edhe më shumë.

Ky është me pak fjalë përfundimi në të cilin arrin raporti i katërt i qeverisë federale gjermane për varfërinë dhe pasurinë në vend, transmeton DW.

Analiza, e cila botohet çdo katër vjet, u paraqit nga Ministria Federale e Punës.

Shoqatat që merren me problemet sociale dhe ato të familjeve theksuan në një reagim se në shoqërinë gjermane po vihet re një ndarje sociale në rritje.

Sipas raportit, pasuria private neto e familjeve gjermane në dy dekadat e fundit është rritur dy herë më shumë dhe shkon në dhjetë bilion euro.

Në këtë mes dhjetë për qind e gjermanëve që bëjnë pjesë tek njerëzit më të pasur zotërojnë më shumë se gjysmën e kësaj pasurie, ndërkohë që pasuria e gjysmës së poshtme të familjeve të tjera mezi shkon në një përqind.

Njëherësh shteti është duke u varfëruar gjithnjë e më tepër. Ndërsa në periudhën nga fillimi i vitit 1992 deri në fillim të vitit 2012 pasuria neto e shtetit gjerman u tkurr me mbi 800 miliardë euro, pasuria private neto u rrit nga pothuajse 4.6 bilionë në rreth 10 bilionë euro, pra është rritur më tepër se dyfishi.