Kosova

Të pakënaqur me votimin me postë, vijnë në vendlindje për të votuar

Intervistat me mërgimtarët që arritën sot gjatë ditës në Aeroportin e Prishtinës, kanë vënë në dukje edhe njëherë problemet me të cilat është ballafaquar më parë dhe po vazhdon t’i ketë diaspora sa i përket procesit të votimit.

Valon Haskaj nga Deçani, i cili jeton në Danimarkë është shprehur për albinfo.ch se ka pasur probleme me procesion e votimit në zgjedhjet e kaluara, ndërsa nuk është i sigurt nëse do ta ketë prapë problemin e njëjtë. “Kam ardhur me vërtetu se në zgjedhjet e kaluar kam votuar në gurbet dhe e kam pas emrin në Kosovë, vota më është pranuar, aplikimi ka qenë në rregull, kur kam ardhur këtu e kam pas emrin në listë të votuesve në Kosovë. Kështu që këtë herë kam ardhur të vërtetoj a e kam hala emrin”.

Ndërsa, një bashkatdhetar tjetër, Skënder Mehmeti nga qyteti i Vushtrrisë, i cili jeton në Gjenevë, ka shprehur po ashtu pakënaqësi me mënyrën e votimit. “Kemi ardhur ekskluzivisht për të votuar për zgjedhje. Unë me të shoqen kemi ardhur, kësaj i është mundësuar të votuar, ndërsa mua jo. Më është mohuar e drejta me votu, s’kam mundur me votu me postë, nuk e kam gjetur emrin në listë. Jam ankuar në KQZ, dy herë i kam dërguar email të gjitha dokumentet që më janë kërkuar ja kam dërguar, kurrë përgjigje s’kanë dhënë”, tha ai gjatë intervistës për albinfo.ch.

Ndryshe nga këta, një bashkatdhetar tjetër nga Danimarka ka ironizuar me KQZ-në dhe listat e votimit. “Kam votuar në Zvicër me postë, tash kam ardhur veç të festoj, me i vizitu varrezat e prindërve të mi, edhe me shiku mos i kam në listë të votimeve ende prindërit”, është shprehur Nafi Çajani për albinfo.ch.

Përveç ankesave ndaj KQZ-së, bashkatdhetarët janë treguar skeptik edhe ndaj votimit me postë. Një numër i madh i tyre kanë zgjedhur të vijnë në vendlindje për të votuar vetëm se nuk besojnë se vota e tyre do të arrijë në destinacionin e duhur me anë të postës.

“Me postë nuk kam provuar, kemi pas më herët disa probleme disa familjarë tanë, unë kam thanë direkt dua të vij”, ka thënë Erald Kallaba.

E që ardhja për të votuar ka edhe kosto të lartë ka treguar Agron Aliu, i cili po ashtu jeton në Zvicër. “Votimi me postë ka qenë i pasigurt, a po mbërrin vota a s’po mbërrin, se aq shumë e kanë humb besimin te ky vend sa edhe frikë që po të manipulohet vota me pas, e kështu vota direkte më e sigurt edhe pse shumë më e kushtueshme për neve ardhja e shkuarja, e cila kushton minimum 1 mijë franga”.

Sipas të dhënave të fundit, Posta e Kosovës të premten ka përmbyllur me sukses dorëzimin e dërgesave nga bashkatdhetarët tanë, ku 35,386 dërgesa totale iu drejtuan KQZ-së.

Ndërsa Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Republikës së Kosovës do të mbahen nesër me datë 14 shkurt.

Foto: Rromir Imami, albinfo.ch