Integrimi

Të ndihmohen të rinjtë për të zgjedhur profesionin

Sistemi i edukimit dhe i shkollimit në Zvicër, si duket, nuk është aspak i thjeshtë. Studimet nuk mund t’i vijojë çdokush dhe në Universitete shkojnë më të mirët. Të rinjtë shqiptarë shpeshherë gjenden në udhëkryq të ballafaquar me dilemën gjiganteske sa i përket zgjidhjes së profesionit të ardhshëm. A të mbarojnë një zanat, i cili i sjell më shpejt te punësim, apo t’i mbledhin forcat dhe të mësojnë për arritjen e një niveli të lartë shkollimi apo gjimnaz, për të hyrë në rrethin e akademikëve si mjekë, arkitektë,  profesorë apo diçka tjetër. Prindërit shumëherë ndoshta as vetë nuk e njohin sistemin shkollor dhe kanë vështirësi t’i këshillojnë fëmijët e tyre në lidhje me një vendim të tillë.

Haxhere Alimi, e lindur në fshatin Glogjë të Tetovës, e ardhur në Zvicër si 16-vjeçare, gjithmonë kishte një dëshirë të flakur, rrëfen ajo, që të studiojë në Zvicër. Por, rruga nuk ishte aq e lehtë, dhe sot na dëshmon kjo grua e zonja se si e zgjodhi mënyrën për të hyrë në rrethin e pedagogëve të diplomuar pranë Universitetit zviceran.

“Shkollën fillore e mbarova në Tetovë, rrëfen Haxherja, dhe në Zvicër erdha me nënën dhe vëllain tim në vitin 1998, në Kantonin Schwyz. Aty fillova menjëherë të shkojë në “klasën e integrimit“, ku kishim intensivisht gjermanisht dhe pas 3 muajsh arrita paralelisht të ndjek disa lëndë mësimore në klasë të rregullt së bashku me vendësit. Pas shkollës fillore,  fillova një shkollim 1-vjeçar që njihet ndryshe si “Überbrückungsjahr”, ose shkollim paraprofesional.

Haxhere Alimi
albinfo.ch


Problemi im, i cili më mundonte më së shumti ishte që nuk isha shumë e orientuar në funksionimin e sistemit shkollor në Zvicër. Nuk e dija se a duhet të filloj një zanat apo një shkollë, thotë Haxherja. Pastaj e regjistrova një zanat për ndihmëse medicinale ose në gjermanisht “Pflegeassistentin”  me qëllim që të vijoj më vonë një shkollë për motër medicionale. Por gjatë shkollimit dhe praktikës e kuptova që nuk ishte ky profesion i duhur për mua, edhe pse kisha dëshirë të punoj me njerëz”.

Një gjë shumë interesante që zgjon kurreshtjen është fakti që Haxherja ka mbaruar njëkohësisht me korrespondencë një shkollë të mesme të ekonomisë në Tetovë, duke shkuar kohë pas kohe për të dhënë provime në vendlindje.

Dhe vazhdon bashkëbiseduesja jonë: “Pasi mbarova shkollën si asistente medicionale, përsëri isha në dilemë në aspektin e vazhdimit të shkollimit në Zvicër, duke e pyetur veten: Çfarë të bëj dhe si t’ia bëj tutje?

Krahas shumë mundësive, ishin edhe vështirësi të mëdha si dhe pyetje, në cilën shkollë të regjistrohem, a do të më pranojnë aty ku dua unë, si ta arrij qëllimin që të studioj ?

Në fakt, shanset reale për të studiuar ishin baraz me zero, sepse unë doja që të mos humbas kohë dhe t’i filloj menjëherë studimet, por me atë zanat që e kisha mbaruar, regjistrimi i studimeve nuk ishte i mundshëm. Si kusht kryesor për t’u pranuar në studime ishte diploma e gjimnazit. Në fund iu ktheva diplomës sime të shkollës mesme të Tetovës, duke planifikuar vijimin e studimeve në Universitetin e Tetovës në Fakultetin e gjuhës dhe letërsisë gjermane, ku edhe u pranova. Ideja ishte që ky profesion të më ndihmojë në perfeksionimin e njohurisë së gjuhës dhe letërsisë gjermane, duke marrë parasysh që kjo diplomë do të më ndihmojë më vonë në Zvicër. Studimet katërvjeçare i përfundova me sukses në Tetovë dhe u ktheva përsëri në Zvicër.

Tashmë, ideja ime se çfarë dëshiroj të punoj në të ardhmen ishte më e qartë. Isha kurreshtare që ta kuptoj pozitën e të huajve në këtë shtet si dhe mundësitë për t’u ndihmuar këtyre, pavarësisht nga feja, origjina, ngjyra e lekurës apo gjuha. Fillimisht startova me punë në përkthime shqip- gjermanisht  në Qendrën për integrim „Kom-in“ në Kantonin Schwyz, si „Person kyç“, duke marrë pjesë si përkthyese ose këshilldhënëse në institucione të ndryshme. Më vonë e mbarova një kurs në dy nivele, pranë Kryqit të Kuq si përkthyese ndërkulturore. Isha e lumtur në punë, por megjithatë synimet e mia nuk përfunduan këtu. Qëllimi im të studioj në Zvicër vazhdonte të qëndrojë. Dhe mora guximin, tregon Haxherja, për ta dërguar kandidaturën për regjistrim në Shkollën e Lartë të Pedagogjisë në Kantonin Schwyz, ku edhe mora një përgjigje pozitive, e cila më gëzoi jashtë mase. Aty mbarova tre vjet studime për mësuese të fëmijëve parashkollorë dhe të klasave të ulëta. Kjo eksperiencë ishte një sfidë, një përvojë e madhe dhe një mundësi për t’i krahasuar sistemet e shkollimit dhe studimit mes Zvicrës dhe vendlindjes sime.

Në pytjen time se ku i sheh Haxherja dallimet e këtyre sistemeve dhe pikat e përbashkëta, ajo përgjigjet: „Në Tetovë studimet merreshin me spontanitet, dhe ne studentët kishim kohë të lirë të mjaftueshme. Kërkesat nga docentët ishin modeste, flas për fakultetin tim. Studimet ishin më tepër teorike dhe nuk na ofroninin shumë praktikë. Gjatë katër vjetëve unë pata vetëm një muaj praktikë edhe këtë pa ndonjë mentor- udhehëqës ose një plan punues apo një vlerësim profesional pas kësaj praktike. Në Zvicër gjatë çdo semestri kemi pasur praktikë dhe kjo ishte diferenca më e madhe në mes të këtyre dy sistemeve universitare që më ka lënë përshtypje“.

Haxhere Alimi
albinfo.ch

Sot zonja Alimi e ka themeluar një Qendër edukimi për prindër dhë fëmijë „Musikus Eltern-Kind Zentrum“ në  komunën e Volketswil të Cyrihut, për fëmijët nga dy deri në 12 vjet, bashkë me zonjën  Dr. Luljeta Shaqiri, psikologe, me të cilën kishte pasur kontakte të mirfillta qysh nga koha e studimeve, falë shoqatës „Studenti“ në Cyrih. Në këtë Qendër përveç një programi edukativo – muzikor për fëmijë në gjuhët shqipe, gjermane dhe të tjera, organizohen edhe kurse të ndryshme për emigrantë, si dhe kurse të mësimit plotësues për nxënës, të cilët synojnë një sukses më të mirë në shkollë, si ndihmë në detyrat e shtëpisë, parapërgatitje për testet shkollore si dhe për provimin pranues në gjimnaz. Projektet vazhdojnë të radhiten, kurse Haxherja e ka një këshillë për prindërit tanë dhe thotë: „I këshilloj të gjithë prindërit që t’u ndihmojnë sa më shumë fëmijëve të tyre që të orientohen sa më mirë në zgjidhjen e profesionit të ardhshëm, t’i mbështesin këta nga ana praktike, duke u informuar në lidhje me mundësitë dhe institucionet, si dhe nga pikëpamja psikologjike dhe emocionale. Të kërkojnë gjithnjë ndihmë dhe këshillë jashtë shtëpisë dhe derës së tyre, sepse kjo i ndihmon fëmijës që të ketë një zgjidhje profesionale më të lehtë dhe një të ardhme sa më të mirë dhe të suksesshme“.