Kosova

Të martën Kosova dhe Serbia përballen në Bruksel

Raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut, do të zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel. Takimi në nivel të kryenegociatorëve do të mbahet më 16 nëntor.

Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosoves për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e paraparë për datën 16 nëntor 2021, në Bruksel, në nivel kryenegociatorësh”, tha Kryeziu.

Ai bëri të ditur edhe temat, të cilat pritet të diskutohen gjatë këtij takimi, në mesin e të cilave është edhe çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

“Temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, e energjisë dhe lëvizja e lirë”, tha Kryeziu.

Kujtojmë se pak ditë më parë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Kosova do të formojë Asociacionin ashtu siç është negociuar në Bruksel, ose “faleminderit, ju punën tuaj, ne punën tonë, ndoshta takohemi një ditë”.

Lidhur me këtë, Qeveria e Kosovës dhe presidentja e këtij shteti, Vjosa Osmani, kanë thënë se Kosova nuk do të zbatojë marrëveshjen, pasi ajo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.