Shkurt.ch

Te kontrollohet përshtatshmëria e iniciativave popullore

Parlamenti mund t`i hedhë poshtë iniciativat që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe që cenojnë të drejtat e garantuara me kushtetuetë

Qeveria Federale në të ardhmen duhet t`i verifikojë në mënyrë jodetyruese iniciativat popullore para se të fillojë grumbullimi i nënshkrimeve për to. Këtë ide të prezantuar nga qeveria, e kanë përkrahur edhe komisionet përkatëse të të dy dhomave të Parlamentit Nacional.

Komisionet në fjalë kërkojnë që qeveria t`ua procedojë atyre ndryshimet e nevojshme ligjore për këtë problematikë, shkruan swissinfo.ch

Nëse do t`i jepej qeverisë fuqia e marrjes së vendimit, ajo do të paraqiste vërejtjet e saj lidhur me kompatibilitetin me të drejtën ndërkombëtare të iniciativave të caktuara. Në këtë mënyrë qytetarët me të drejtë vote do të informoheshin më saktësisht me këtë lidhshmëri.

Sipas propozimit të qeverisë, parlamenti do të mund t`i shpallte të pavlefshme jo vetëm iniciativat që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare por edhe ato që cenojnë “thelbin” e të drejtave bazë të siguruara me kushtetutë.

Sipas këtij parimi, për shembull, do të shpallej e pabazë një iniciativë eventuale për futjen në fuqi të dënimit me vdekje. Nga ana tjetër, një iniciativë sikur ajo për ndalimin e minareve nuk do të ndalohej sepse nuk prek “thelbin” e të drejtave themelore të bazuara në kushtetutë.