Integrimi

Të jesh funksionar banke në metropolin botëror të bankave

“Zürichu është pas Londrës qendra e dytë me e madhe bankare në Europë. Kështu që kyqja në këtë industri nuk ishte ndonjë vendim i vështirë për mua”, thotë në intervistën e tij për albinfo.ch Alban Nevzati, bartës i një posti me përgjegjësi të lartë në bankën më të madhe të Zvicrës, UBS

Alban Nevzati punon në Departmentin e Kontrollit të Rreziqeve, gjegjësisht në repartin e menaxhimit të zhvillimeve strategjike (Change Management), repart global me rreth 400 punëtorë të bankës UBS, më të madhes në Zvicër dhe njërës ndër më të mëdhatë në botë. Në intervistën për albinfo.ch ai flet rreth pranisë së shqiptarëve në bankat e Zvicrës, karrierës së tij të deritashme, shoqatës që bashkon punonjësit bankarë në Zvicër, brishtësisë së bankave në Kosovë etj.

Albinfo.ch: Ju punoni si punonjës bankar në Zvicër, që njihet edhe si “vendi i bankave” dhe për më tepër në Cyrih që është një prej qyteteve kryesore në sistemin global bankar. Përse jeni përcaktuar për sektorin bankar dhe a na tregoni si keni filluar aty?

Alban Nevzati: Qysh gjatë studimeve në Universitetin e Zürichut kam punuar në një bankë private. Përvojat të cilat i kam mbledhur në atë bankë, e cila ishte bankë private klasike, më kanë ndihmuar edhe gjatë studimeve të mia. E kisha më lehtë ta bëj një lidhje mes teorisë dhe modeleve të ndryshme ekonomike në njërën anë, dhe aplikimin e tyre në botën reale. Përvoja e punës gjatë studimeve në botën reale bankare më ka bërë të krijoj një fije skepticizmi dhe rezerve ndaj teorive dhe modeleve të ndryshme ekonomike, por njëkohësisht ma ka rritur interesin për njohurinë a po atyre modeleve teorike.

Sistemi bankar në Zürich është pjesë e industrisë globale bankare. Zürichu është pas Londrës qendra e dytë më e madhe në Europë, kurse eshtë në top 10 të qendrave botërore në sektorin bankar. Kështu që kyqja në këtë industri nuk ishte edhe ndonjë vendim i vështirë.

Cili është titulli i postit që mbani aktualisht dhe cilat poste i keni kaluar deri tash, respektivisht, në cilat banka?

I kam mbetur besnik bankës së njejtë në të cilën fillova të punoj pas studimeve. Bankat globale, si kjo ku unë punoj, ofrojnë një llojllojshmëri të drejtimeve të ndryshme profesionale. Unë punoj në departmentin e kontrollit të rreziqeve. Kontrolli i rrezikut është një punë në mbrapavijë ku kontrollohen rreziqet në divizionet e ndryshme të bankës. Aktualisht punoj në repartin e menaxhimit të zhvillimeve strategjike (Change Management), repart global me rreth 400 punëtorë.

Keni mbaruar ndonjë specializim jashtë Zvicrës apo keni përvojë pune në ndonjë bankë ose institucion financiar jashtë vendit?

Kompanitë e mëdha dhe globale, si kjo ku unë jam i punësuar, specializimet zakonisht i ofrojnë përbrenda tyre. E kemi universitetin tonë, ku ligjërojnë ekspertë të brendshëm, por edhe profesorë dhe ekspertë tjerë nga jashtë. Specializimet në kompani janë mirë të strukturuara, janë në shumicën e rasteve me program global por ka edhe të tilla me përmbajtje specifike lokale, dhe çdo punonjës udhëzohet të ndjekë nivele të ndryshme të kurseve dhe specializimeve, varësisht detyrës dhe përgjegjësive që i ka. Unë e kisha rastin të punoj për tre vite në New York për të njëjtën kompani. Të punosh jashtë vendit është një eksperiencë të cilën secilit ja kisha propozuar ta bëjë, nëqoftëse i jepet mundësia.

Cilat janë karakteristikat e sistemit bankar Zvicërn, që e bëjnë të dallohet nga sistemet e vendeve tjera?

Sistemi bankar zviceran ka përfituar shumë nga stabiliteti politik i Zvicrës, posaçërisht gjatë luftës së ftohtë. Po ashtu bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve arsimore, qofshin ato universitare ose shkollave profesionale dhe bankave, ka pasur një ndikim të madh në avansimin e sistemit bankar. Kërkesat e sektorit bankar për kuadro të përgatitura janë mbuluar nga sistemi arsimor i Zvicrës. Po ashtu edhe niveli i lartë i jetës dhe i arsimit ka ndikuar që Zvicra të joshë gjithnjë ekspertët më të mirë nga e gjithë bota.

Po funksionimi i bankave në shtetet tona të prejardhjes, si duket dhe çfarë e dallon atë – përveç vëllimit të parasë në qarkullim, që nënkuptohet – nga sistemi bankar i Zvicrës dhe ai i perëndimit?

Bankat zvicerane janë ndër bankat më të mëdha botërore. Sistemi bankar këtu është i etabluar mirë dhe është katalizator i zhvillimit ekonomik të vendit, duke qenë ofruesi i kapitalit për industrinë vendore, por njëkohësisht edhe shtytës i inovacioneve të ndryshme. Për të pasur një ide rreth sistemit bankar të Zvicrës po përmend se në këtë vend janë të punësuar rreth 121’000 persona në banka; Shuma e bilancit të të gjitha bankave në Zvicër ishte në vitin 2017 3’384 miliardë franga zvicerane etj. Sistemi bankar në Kosovë është ende i brishtë. Ende mungon një bashkëpunim i mirëfilltë mes bankave, institucioneve arsimore dhe tregut vendor. Po ashtu mërgata shqiptare nuk është involvuar deri më tani fare në rritjen e likuiditetit në treg. Shpresoj se në të ardhmen kuadrot shqiptare të avansuar në kompanitë e ndryshme globale do të inkuadrohen në tregun financiar të vendeve tona të prejardhjes.

Kohën e fundit vërehet një rritje brengosëse e disa të ashtuquajturve institute mikrofinanciare të cilat cak e kanë qytetarin me të ardhura të vogla dhe familjet e reja. Kostot e fshehta dhe shpenzimet e larta të kamatës e vështirësojnë kthimin e rregullt të kredisë nga kredimarësit dhe aty fillon për ta një rreth vicioz nga i cili vështirë të dilet. Këtu institucionet shtetërore përgjegjëse duhet të jenë rigoroze dhe të mbrojnë qytetarin.

A keni informacione rreth numrit të shqiptarëve që punojnë në banka dhe institucione financiare në Zvicër? 

Vetëm në institutin në të cilin punoj unë, janë qindra shqiptarë! Po ashtu numri i shqiptarëve në institucionet tjera bankare është i madh dhe në rritje e sipër. Shqiptarë mund të gjejmë tani në çdo funksion në banka: Në sportele të bankave, në IT, në Investment Bank, në Asset Management, në menaxhim të fondeve, në menaxhim të resurseve humane (HR), kuadro të larta lobuese, në thesar, kuadro me përgatitje kuantitative, aso me përgjegesi të lartë menaxheriale etj. (b.sh.)

Biografi

I lindur në vitin 1980 në Prishtinë, Alban Nevzati ka jetuar në Prizren, ku dhe e ka përfunduar klasën e katërt të shkollës fillore. Në Zvicër ka ardhur në vitin 1990, ku e ka vazhduar shkollën fillore dhe gjimnazin. Studimet në drejtimin ekonomi dhe menaxhment i ka përfunduar në Zürich, në vitin 2006. 

 

Shqiptarë, në të gjitha nivelet e bankave zvicerane

Shqiptarë mund të gjejmë tani në çdo funksion në banka: Në sportele të bankave, në IT, në Investment Bank, në Asset Management, në menaxhim të fondeve, në menaxhim të resurseve humane (HR), kuadro të larta lobuese, në thesar, kuadro me përgatitje kuantitative, aso me përgjegesi të lartë menaxheriale etj