Lajme
Të investosh sot në Kosovë, është heroizëm
Biznesmenë shqiptarë në Austri janë të mendimit që remitencat e diasporës të investohen në biznese familjare apo biznese të vogla, nga ku do të krijoheshin vende të reja të punës
Mbi një miliard euro në vit llogaritet shuma e të hyrave nga mjetet e diasporës në Kosovë. Ndër vite, këto mjete janë shpenzuar për konsum ditor, derisa një pjesë shumë e vogël e tyre janë të dedikuara për investime.
Biznesmenë të suksesshëm shqiptarë nëpër Evropë, por edhe organizatorë të Forumeve të Bizneseve që merren me investimet e diasporës në Kosovë, thonë se këtyre mjeteve u duhet ndërruar orientimi dhe duhet të investohen në biznese familjare apo biznese të vogla, ku do të krijoheshin vende të reja të punës. Një Forum i tillë për qëllime investimesh por edhe bashkëpunime mes bizneseve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe diasporë u organizua në muajin maj edhe në Prishtinë. Ky Forum mblodhi bashkë rreth 360 biznesmenë nga diaspora dhe trojet shqiptare. Eventi u organizua nga degët evropiane të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, USAID Kosovo Compete Activity dhe organizata Germin. Në këtë Forum Ekonomik vetëm nga Austria, morën pjesë mbi 50-të afaristë shqiptarë.
Yll Blakaj: Të rriten remitencat në investime
Yll Blakaj, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri shprehet për albinfo.at se qëllimi kyç i këtij Forumi është bashkëpunimi dhe lidhja e bizneseve të Kosovës me ato të Diasporës.
“Diaspora shqiptare është një aset që ka potencial të jashtëzakonshëm për investime në Kosovë. Janë të gjithë mekanizmat e nevojshëm, vetëm kërkohet që shteti i Kosovës të lehtësojë procedurat burokratike dhe të bëjë të mundshme investimet në vendin tonë”, thotë ai.
Tutje, Blakaj tregon se Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri, është ndër më të organizuarit në Evropë. Ai ka pesë degë të cilat operojnë në përfaqësimin e bizneseve të mëdha.
“Synimi ynë është që brenda 10 viteve të ardhshme, kur shuma e remitencave në Kosovë të jetë minimale – jo për atë që ne nuk jemi njerëz humanë dhe Kosova nuk ka nevojë për remitenca edhe në të ardhmen – por qëllimi ynë është që të rinjve tanë t’u sigurohet vendi i punës përmes investimeve individuale apo edhe grupore nga bizneset e diasporës”, ka shtuar Yll Blakaj.
Kryetari Blakaj ka thënë se 2 miliardë euro të remitencave nuk i zgjidhin problemet ekonomike të Kosovës, por duhen më shumë investime, deri në 5 miliardë, kur dihet se bizneset nga diaspora kanë kapacitete për t’i realizuar pa asnjë problem.
Shyqeri Bytyqi: Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri ka mbi 200 anëtarë të rregullt
Se Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri është i madh në numër dhe është duke u rritur dita-ditës e thotë edhe Shyqeri Bytyqi, kryetar i degës në landin e Austrisë së Epërme.
“Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri funksionon shumë mirë. Në Wels, Rrjeti tashmë ka edhe zyrën e tij, ku çdo ditë biznese të reja anëtarësohen dhe na bashkohen në këtë rrugëtim të përbashkët. Shumë firma shqiptare brenda Rrjetit qarkullojnë miliona euro duke shkëmbyer kontrata pune me njëra-tjetrën. Kemi afër 400 biznese që marrin pjesë herë pas here në takimet tona apo me të cilët kemi edhe kontakte, ndërsa anëtarë të rregullt, pra ata të cilët paguajnë anëtarësi dhe marrin pjesë gjithmonë në takimet tona dhe bashkëpunojnë brenda Rrjetit, janë afër 200 biznese shqiptare” ka thënë ai për albinfo.at.
Ndërkohë, Bytyqi shton se qëllimi kryesor i tyre është hapja e rrugës drejtë investimeve të bizneseve në Kosovë dhe anasjelltas, që produkteve të prodhuara në Kosovë t’u mundësohet kalimi i kufijve drejtë Evropës, duke pasur parasysh edhe pasuritë nëntokësorë që ka vendi ynë.
Nexhmedin Ahmeti: Të investosh sot në Kosovë, është heroizëm
Të njëjtin mendim ka edhe Nexhmedin Ahmeti, kryetar i degës së Rrjetit për landin e Salzburgut. Edhe ai thotë se bizneset e Kosovës në çdo kohë mund të kërkojnë ndihmë nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare, sepse do të ju përgjigjen pozitivisht. Përparimi i Kosovës në ekonomi është ajo që ata e dëshirojnë.
“Krijimi i një zyre të përbashkët apo të ashtuquajtur “Shtëpia e diasporës” do tu mundësonte të gjitha bizneseve një lehtësim të barrierave shpesh të panevojshme të burokracisë dhe do të bënte të mundur koordinimin mes bizneseve shqiptare në Kosovë dhe atyre të diasporës për investime apo edhe bashkëpunime me njëri – tjetrin”, nënvizoi, Nexhmedin Ahmeti. Ai thotë se të investosh sot në Kosovë është heroizëm.
“Nëse në vitet e mëhershme heroizmi është karakterizuar në fusha të ndryshme, sot heroizëm është të investosh në vendin tonë. Dhe, këtë më së miri mundet dhe duhet ta bëjë diaspora”.
Ai nuk la pa përmendur se pikërisht Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri ka qenë ndërmjetësues i ardhjes së shumë produkteve shqiptare të cilat sot gjenden në raftet e marketeve të ndryshme në Austri dhe Evropë.
Ajet Tahiri: Pandemia ka prekur edhe bizneset shqiptare në diasporë
Por, sa ka ndikuar pandemia tek bizneset shqiptare në Austri, për albinfo.at, tregon Ajet Tahiri, kryetar i degës për landin e Tirolit.
“Pandemia në shumë biznese ka ndikuar jashtëzakonisht shumë, por ka edhe prej atyre që janë orientuar në obligime tjera, të cilët kanë pasur kohë të mendojnë për zgjidhje tjera biznesore. Megjithatë, duhet pranuar se sigurisht ka pasur shumë biznese që i ka lodhur në aspektin e të ardhurave, sidomos pjesa e karantimit”, ka thënë Tahiri, i cili në Forumin Ekonomik në Prishtinë kishte marrë me vete biznesmenë të suksesshëm austriakë. Njëri prej tyre ishte edhe Patrick Landrock, pronar i kompanisë KitzVenture si investitor potencial në një të ardhme në Kosovë. Ai, po ashtu kishte ftuar në Kosovë edhe televizionin austriak OE24.
Biznesmenët shqiptarë në diasporë ishin të mendimit se duhet të rriten remitencat që dedikohen për investime në Kosovë, në mënyrë që të gjenerohen vende të reja të punës, zhvillim ekonomik, duke përfshirë sektorin e prodhimtarisë, shërbimeve dhe bizneseve familjare.
box
Diaspora, një aset i jashtëzakonshëm për Kosovën
“Diaspora shqiptare është një aset që ka potencial të jashtëzakonshëm për investime në Kosovë. Janë të gjithë mekanizmat e nevojshëm, vetëm kërkohet që shteti i Kosovës të lehtësojë procedurat burokratike dhe të bëjë të mundshme investimet në vendin tonë”, thotë ai.
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?