Tematike

“Të gjithë” në Zvicër janë për ndalimin e burka-s

Schlüer nga SVP/UDC aktualisht është duke grumbulluar nënshkrimet e nevojshme për iniciativën e ndalimit të burkas. Dhe në një moment të tillë, atij i vjen si i porositur deklarimi i socialdemokratit Fehr

Debati lidhur me ndalimin e “burka-s”, mbulesës së plotë të grave myslimane në Zvicër ka marrë hov të madh sidomos pas deklarimit të politikanit të njohur socialdemokrat Mario Fehr në favor të këtij ndalimi. Ndalimi me kushtetutë i kësaj mbulese që, si rezultat i referendumit hyri në fuqi më 1 korrik në kantonin jugor të Ticinos, i ka dhënë më shumë zjarr këtij debati.

Partia që tradicionalisht ka qenë për këtë ndalesë, SVP/UDC e ka mirëpritur deklarimin e Mario Fehrit që ka ardhur nga ana e kundërt e kampit të saj politik. Kjo parti ka qenë prej kohësh në ballë të aksioneve kundër burkas dhe së fundi edhe ka nisur një iniciativë nacionale në këtë drejtim.

Kështu, Ulrich Schlüer, i njohur si pjesë e krahut më radikal brenda SVP-së dhe ish deputet nacional ka përshëndetur hapin e befasishëm të politikanit nga partia rivale. Schlüer aktualisht është duke grumbulluar nënshkrimet e nevojshme për iniciativën e ndalimit të burkas. Dhe në një moment të tillë, atij i vjen si i porositur deklarimi i socialdemokratit Fehr, transmeton albinfo.ch. ”Në një shoqëri liberale secili e tregon fytyrën e tij, burkat nuk kanë vend këtu”, kishte thënë Fehr në deklaratën e tij tashmë të fanmshme të botuar në NZZ.

SVP, për herë të parë e kënaqur me një politikan socialdemokrat!

“Jemi tepër të kënaqur që edhe Fehr është në favor të ndalimit të mbulesës”, thotë për gazetën blick, me ton ngadhënjyes Schlüer. Deri tash janë grumbulluar një e treta e numrit të nevojshëm ose rreth 33.000 nënshkrime. Dhe, mbështetja e Fehrit na ndihmon sigurisht. Në veçanti shumë gra do të mbështesin iniciativën tonë”, ka thënë politikani veteran nga SVP, përcjell albinfo.ch. Ai ka thënë madje se edhe feministet, të cilat në asnjë rast nuk do të votonin për SVP-në, mbështesin luftën kundër burkas.

“Unë jam kundër burkas”, thotë deputetja nga SP/PS, Anita Fetz. Është pjesë e komunikimit shoqëror në Zvicër që bashkëbiseduesit t`i tregohet fytyra. Ndërsa deputetja tjetër nga po kjo parti, Cesla Amarelle thotë se po ashtu është kundër burkas. Por ajo shton se ndalimi i mbulesës në fjalë nuk do të ndihmonte gratë që vuajnë nga kjo mbulesë. “Ky është populizëm i pastër”, thotë Amarelle lidhur me iniciativën, përcjell albinfo.ch. Prandaj ajo është për një “Jo kundër burkas dhe Jo kundër ndalimit të saj”.

Edhe në partinë që mbron vlerat e krishtera, CVP/PDC janë pro ndalimit të burkas, sidomos në dritën e zhvillimeve të dhunshme që vijnë nga islami politik.

“Gratë në Zvicër kanë të drejta të barabarta prandaj nuk do të duhej të mbështilleshin me mbulesa.”, thotë deputetja nacionale nga kjo parti, Elisabeth Schneider-Schneiter. Burkat prandaj nuk kanë çfarë të kërkojnë në Zvicër. A nuk është SP/PS ajo që në radhë të parë lufton për të drejtat e gruas? Për këtë arsye, bravo i qoftë Mario Fehrit”, thotë ajo.

Fehr, “i mirëseardhur” në GLP

Edhe një pjesë e shtypit zviceran të së dielës ka trajtuar debatin mbi burkan me ç`rast ka identifikuar se kur është fjala për ndalimin e saj, hendeqet në mes të partive rivale nuk janë aspak të mëdha.

Gazetat “Le Matin Dimanche” dhe “SonntagsZeitung” i kanë dhënë hapësirë qeveritarit të Kantonit Vaud nga radhët e SP/PS-së, Pierre-Yves Maillard i cili në mënyrë indirekte është shprehur në favor të kufizimit të mbulesës trupore të grave myslimane në Zvicër. Është simptomatike se Maillard nuk është në mënyrë decidive kundër iniciativës së bërë në këtë drejtim nga SVP/UDC-ja. “Unë nuk do t`u takoj atyre që do të luftojnë kundër iniciativës”, ka thënë ai.

Por, ka shtuar Maillard, “Parlamenti do të bënte mirë sikur ta rregullonte vetë këtë problematikë në mënyrë që të evitonte referendumin për iniciativën e SVP-së. Për të cilën, ai nuk ka asnjë dyshim se do të votohet nga populli. E majta duhet të përshtatet në kontekstin e ri të rrezikut që fshihet prapa lëvizjeve të reja që nuk distancohen nga dhuna, transmeton albinfo.ch.

“Ndalesa që çlirojnë”

Prandaj, e majta duhet të pyesë veten se çfarë është në favor të grave dhe jo të predikojë tolerancë të pafund. Nganjëherë ka “Ndalesa që çlirojnë”, ka plotësuar ai.

Liberalët e gjelbër nuk kanë asgjë kundër që Mario Fehr t`u bashkohet atyre, pas rënies në konflikt me partinë e tij lidhur me deklarimin që ka bërë për ndalimin e burkës. “Ai do të përshtatej me ne, sa i përket profilit të tij politik”, ka thënë për “NZZ am Sonntag” Thomas Maier nga dega e Cyrihut e kësaj partie.

Edhe kryetari në nivel nacional i GLP-së Martin Bäumle është shprehur rreth “azilit” të mundshëm të politikanit socialdemokrat në partinë e tij. “Po qe se Mario Fehr do të trokiste në derën tonë, ajo sigurisht nuk do t`i mbyllej”, ka thënë i pari i kësaj partie. Por, i pyetur nga gazeta, Fehr ka thënë se ndërrimi i partisë nuk është synimi i tij.