Autotech

Të gjithë në garë për çelësin dixhital

Tesla, Apple, Samsung, Audi, BMW, Ford dhe Genesis, të gjithë në garë për çelësin dixhital

Kur tre gjigantë si Apple, Samsung dhe Tesla, fillojnë të punojnë së bashku, lajmi bën me shpejtësi xhiron nëpër botë, në media dhe në rrjetet sociale. Në “Federal Communications Commission” është depozituar një patentë nga Tesla Inc Deer Creek Road, Paolo Alto, në Kaliforni, që lidhet me teknologjinë UWB (Ultra Wide Band), të paktën 500 MHz.

Ky standard, i aplikuar në iPhone apo Galaxy Samsung, ose në smartphone të fashës së lartë nga prodhues të tjerë, transmeton impulse të shkurtra, me fuqi të ulët, për të zbuluar dhe për të verifikuar në mënyrë të sigurt pozicionin e objekteve.

Diçka e ngjashme përdoret si tracker (gjurmues) objektesh, çelësa dixhitalë makinash si dhe për të shmangur që robotët të përplasen në evolucionin e tyre. Në thelb, kur drejtuesi i një Tesla do të ketë parkuar makinën në një parking të mbushur plot, si ata të një aeroporti apo në një qendër tregtare, mund të gjejë makinën e tij nëpërmjet kësaj teknologjie, që është një hap larg fazës tjetër – përfshirjen e çelësit të makinës në një smartphone, transmeton Monitor.

Në këtë pikë, ky objekt bëhet një lloj “hub” për të menaxhuar, përveç bankave, blerjeve dhe zhbllokimin e derës së shtëpisë, edhe sigurinë e makinës sonë. Për të bërë të mundur këto funksione me një marzh të mjaftueshëm sigurie, makinat duhet të integrojnë në karroceri end-point Ultra Wide Band (UWB), ndoshta te dorezat e dyerve.

Tesla, Apple, Samsung, Audi, BMW, Ford dhe Genesis, të gjithë në garë për çelësin dixhital

Në një nga njoftimet e fundit ndërkombëtare, Samsung foli për marrëveshje me marka të tilla si Audi, BMW, Ford dhe Genesis që do të realizojnë këtë funksion të ri brenda muajit gusht. Kompania koreanojugore është pjesë e organizmave të standardizimit që po punojnë për teknologjinë në fjalë, përfshirë FiRa Consortium dhe Car Connectivity Consortium, ku Apple është anëtare lider.

“Përdoruesit do të jenë në gjendje të ndajnë çelësin e tyre dixhital në smartphone, pavarësisht markës apo platformës” – pohoi Kevin Chung i Samsung, gjatë eventit për prezantimin e Galaxy S21.

Sa i përket “përfshirjes” së dokumenteve në smartphone, një rol të rëndësishëm zë Qualcomm. Me gjeneratën e re të procesorëve Snapdragon në smartphone-t 5G, kompania po zhvillon një eksperiment elektronik për identifikimin e dokumenteve me policinë amerikane në disa shtete, ndër të cilat Kalifornia.

Në telefon do të shfaqen dokumentet, të cilat do të lexohen nga një aplikacion i instaluar në celularin e agjentit të policisë, që do të bëjë skanimin e QR Code për verifikimin e patentës. Gjithçka kalon nëpërmjet një token, pajisja që përdoret zakonisht për identifikimin që mbron të dhënat personale. E njëjta teknologji mund të aplikohet për kontrollin e pasaportave.

A do të jetë më e sigurt një botë pa çelësa?

Samsung thotë se me çelësat e saj dixhitalë “përdoruesit do të mund të zhbllokojnë derën e makinës kur të arrijnë pranë saj. As më parë e as më pas”, duke garantuar sigurinë maksimale. Teknologjia e re, e bazuar në UWB nënkupton kapërcimin e NFC (Near Field Communication), një evolucion i identifikimit të “frekuencës radio”, i përhapur në tregun masiv nga operatorë të ndryshëm të telefonisë celulare, por pa arritur suksesin e dëshiruar.

Nëse smartphone-t e nivelit të lartë bëhen çelësa për të hapur dhe për të menaxhuar makinat, siç bëjnë tashmë me aktivizimin e dyerve të shtëpisë, teknologjia më e përparuar mbetet UWB. Aq sa, siç ka njoftuar Apple, iPhone 11 dhe iPhone 12 do të pajisen me to. Kurse te pajisjet me sistem operativ Android, më i përhapuri në botë, po regjistrohen zhvillime të vazhdueshme për Galaxy Z Fold 2, modelet e reja S21 Plus dhe S21 Ultra.

Apple po pret që shtëpitë automobilistike të miratojnë UWB dhe ndërkohë ka prezantuar versionin në pronësi të çelësave dixhitalë për makinat me NFC në një fazë të hershme (tani për tani, vetëm te BMW 5 Series 2021). Vetë BMW ka njoftuar se do të mbështesë UWB, nën emrin Digital Key Plus, me BMW iX elektrike.

Mendimi është se sa më shumë makina elektrike dhe të lidhura të kemi në rrugë, aq më shumë ato do të jenë të pajisura me çelësa elektronikë të integruar te smartphone. Ndryshimet paralajmërojnë një punë të madhe për ekspertët e sigurisë, pasi nuk ka gjasa që “minjtë e makinave”, siç i cilësojnë hajdutët e makinave, të ndryshojnë “profesion” përballë këtyre risive.