Integrimi

Të gjitha rrugët sot bashkohen në Vatikan, te Shën Tereza!

Qëndresa Sadriu është në SP/PS ndërsa Llesh Duhanaj, në CVP/PDC. Njëra e majtë e tjetri i djathtë... Por ata e kanë një të përbashkët: Adhurimin për Nënë Terezën

Nënë Tereza me jetën dhe veprën e saj ka frymëzuar breza të tërë njerëzish të profileve të ndryshme, edhe politike. Shenjtërimi i murgeshës së famshme shqiptare që bëhet sot nga Papa Françesku, është një shpagim i merituar që i bëhet humanitetit dhe sakrificës së saj.

Kështu e shohin këtë akt edhe dy politikanë të rinj shqiptarozviceranë, që vijnë nga dy skaje të ndryshme të spektrit politik të këtushëm. Qëndresa Sadriu është politikane e Partisë Socialdemokrate, asambleiste në Komunën Glattbrugg të Cyrihut ndërsa Llesh Duhanaj, aktivist i njohur i CVP/PDC-së në Kantonin e Lucernit.  Njëra e majtë pra, e tjetri i djathtë… Por, si pjesë e formimit politik që kanë dhe sigurisht edhe duke qenë shqiptarë të dy, ata e kanë të përbashkët adhurimin për Nënë Terezën.

albinfo.ch ka kontaktuar Qëndresën dhe Lleshin

Qëndresa Sadriu: “Moment historik që nuk bën të humbet”

Nuk janë vetëm besimtarët katolikë ata që shkojnë sot në Romë, për të marrë pjesë në solemnitetin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Ka edhe shumë shqiptarë të besimit mysliman ose të papërcaktuar fetarisht, që duan të përjetojnë këtë eveniment.

Politikania e re shqiptarozvicerane, Qëndresa Sadriu do të jetë në mesin e mijëra njerëzve të cilët sot, më 4 shtator do të jenë të pranishëm në këtë ngjarje historike. Ajo, shenjtërimin e Nënës Terezë në Romë e ka vlerësuar si një moment historik që nuk duhet humbur. Qëndresa bashkë me babain dhe motrën do të marrin rrugën për në Romë, ku do të marrin pjesë  në shenjtërimin e Nënës Terezë. Qëndresa thotë për albinfo.ch se Nëna Terezë ishte model për të, që nga fëmijëria.

“Prandaj unë i ndjek hapat e saj që pos politikës të angazhohem edhe në projekte humanitare për t’i ndihmuar të pastrehët dhe të varurit nga droga si dhe fëmijët që janë të sëmurë nga kanceri në Zvicër”, shprehet ajo. Qëndresa shprehet për albinfo.ch se nuk i pengon fare që Nëna Terezë ishte katolike. “Feja nuk e bëri atë që ishte por personaliteti i saj që e bëri emër të krenarisë kombëtare dhe botërore“, tha Sadriu.

Llesh Duhanaj: Nënë Tereza, dielli i shqiptarizmit dhe krishterimit

Llesh Duhanaj është mësues që ushtron profesionin në shkollat zvuivcerane por edhe aktivist politik, i njohur në Kantonin e Lucernit, ku jeton. Ai ka bashkëthemeluar dhe drejton seksionin kosovar të themeluar para disa vitesh në kuadrin e CVP/PDC-së (partia Demokristiane).

Ja se çfarë thotë Duhanaj për Nënë Terezën: «Nënë Tereza është një prej atyre shpirtrave zemërgjërë që ka mposhtur të gjitha barrierat e racës, religjionit dhe kombit. Në shumë vende, njerëzit krejtësisht të pafajshëm janë bërë dhe bo bëhen viktima të akteve barbare nga te ashtuquajtur “njerëz”. Jo pa arsye fjala genocid përmendet kushedi sa herë.
Në botën tonë të sotme të bezdisur dhe vazhdimisht të trazuar nga konfliktet dhe urrejtja, jeta që jetohet dhe puna e kryer nga njerëzit sikurse Nëna Tereze, sjellin shpresa të reja për të ardhmen e njerzimit.

Për mua Nëna Tereze s’është vetem shenjtëreshë, por një mënyrë e jetës. Fjala dhe jeta tek ajo janë një, ajo është burim në kohën tonë të madhe shkencore. Ajo mbetet burim dashurie në shërbim të të tjerëve, gjë kjo për të cilën kemi nevojë më tepër se kurrë më parë. Nga vizita ime e parë në Kalkutë jam ndjerë, aty për aty, i pushtuar nga mesazhi i saj i shenjtë e nga magnetizmi i personit të saj edhe perse ajo fizikisht ishte në jeten e amëshuar. Te falënderoj Nëna Tereze qe kisha mundësinë të ndihmoj në ëmrin tënd.

Nëna Tereze është sot dielli i shqiptarizmit dhe i krishtërizmit, i dashurisë. Pas Skënderbeut ajo është lulja më e bukur e trevave shqiptare», përfundon Llesh Duhanaj, politikan nga CVP/PDC-ja.