Shqipëria

Të gjitha rrugët në Shqipëri, me pagesë

“Parimi për mua është: ai që përdor rrugën, ai duhet të paguajë për mirëmbajtjen”, deklaroi Damian Gjiknuri

Në të ardhmen, të gjitha rrugët të cilat kanë standardet e një autostrade, do të jenë me pagesë.

Ky është qëndrimi që ka për këtë çështje ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, pas aplikimit të tarifës për Rrugën e Kombit.

Kreu i Infrastrukturës sqaroi para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë gjatë kohës po diskutohej shtesa e kredisë prej 16 milionë euro të rrugës Tiranë-Elbasan, se sot buxheti i shtetit nuk arrin dot të përmbushë nevojat për mirëmbajtjen e akseve kombëtare.

“Parimi për mua është: ai që përdor rrugën, ai duhet të paguajë për mirëmbajtjen. Në të ardhmen mendoj se të gjithë rrugët e Shqipërisë duhet të menaxhohen nga kompanitë private”, ka thënë ai, raportojnë mediat shqiptare.

Por jo të gjithë deputetët e mazhorancës ndajnë këtë pikëpamje. Anastas Angjeli tha se pavarësisht nevojës për financimin e mirëmbajtjes së rrugës, duhet parë edhe ana sociale dhe ekonomike për qytetarët, përcjell albinfo.ch.

Damian Gjiknuri u kërkoi deputetëve që marrëveshja e kredisë shtesë për rrugën Tiranë-Elbasan të hyjë në fuqi menjëherë, në mënyrë që 9 kilometrat e fundit të saj të përfundojnë brenda këtij viti.

Ai tha se kostoja e rrugës është rritur me 44% më shumë se sa ishte planifikuar, e përkthyer kjo në vlerë monetare, segmenti prej 32 kilometrash ka kushtuar 138 milionë dollarë më shumë. Deputetët socialistë i bënë thirrje Prokurorisë që të vazhdojë hetimet për nxjerrjen e përgjegjësve që zvarritën dhe rritën kostot e kësaj rruge.