Tematike

Të gjitha që duhet t`i dini për vaksinimin e të rinjve mbi 12 vjeç në Zvicër

albinfo.ch publikon udhëzimet e BAG (Zyra Federale e Shëndetit Publik) lidhur me vaksinimin e adoleshentëve nga 12 vjeç e lart

Mundësia për t`u vaksinuar kundër Covid-19 ka kohë që është në dispozicion edhe për adoleshentët mbi 12 vjeç. Megjithatë, ka mjaft bashkatdhetarë tanë që nuk janë të informuar për këtë mundësi ose kanë dilema dhe mungesë njohurish.

albinfo.ch publikon me këtë rast udhëzimet e BAG (Zyra Federale e Shëndetit Publik) lidhur me vaksinimin e të rinjve të kësaj grupmoshe.

Koronavirusi ka ndikuar seriozisht në jetën tonë dhe vaksinimi kundër Covid-19 është një hap tjetër i rëndësishëm drejt kthimit në jetën normale. Pasi deri vonë vetëm të rriturit mund  të vaksinoheshin kundër koronavirusit, vaksinimi tani mundësohet edhe për të rinjtë nga 12 deri në 15 vjeç.

Në vazhdim, disa informacione më të hollësishme.

A munden adoleshentët midis moshës 12-17 vjeç të vendosin vetë për vaksinimin e tyre? 

Përgjigje:

Të rinjtë nga mosha 12 vjeç në përgjithësi kanë të drejtë të vendosin në mënyrë të pavarur për t`u vaksinuar, me kusht që ata të konsiderohen si kompetentë dhe të informuar.

Kjo do të thotë që adoleshentët me gjykim të mirë (edhe nëse nuk janë ende në moshën madhore) kanë të drejtë të vendosin vetë nëse duan të vaksinohen dhe në shumicën dërmuese të rasteve bëhet me pëlqimin reciprok mes të rinjve dhe prindërve.

Është përgjegjësi e specialistit të vaksinimit të testojë aftësinë e gjykimit të tyre dhe kjo nuk mund të lidhet me një moshë të caktuar respektivisht nuk mund të përcaktohet një kufi moshe.

Kantoni vendos se si do të zbatohet testi i aftësisë për të gjykuar ose si kryhet në qendrat e vaksinimit në secilin rast individual.

Fëmijët të cilët nuk janë në gjendje të gjykojnë kanë nevojë për pëlqimin e prindërve / kujdestarëve të tyre para se të mund të vaksinohen.

A është vaksinimi vullnetar?

Përgjigje:

Po. Vaksinimet janë vullnetare në Zvicër. Nuk ka vaksinim të detyrueshëm.

Në bashkëpunim me EKIF dhe Swissmedic, BAG ju siguron informacion gjithëpërfshirës në mënyrë që të merrni vendimin për vaksinim.

Sa kushton vaksinimi dhe kush paguan për të?

Përgjigje:

Vaksinimi kundër Covid-19 është falas për njerëzit që jetojnë në Zvicër. Shpenzimet mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, Qeveria Federale dhe kantonet.

Vaksinimi në Zvicër është falas gjithashtu edhe për udhëtarët ndërkufitarë dhe për zviceranët jashtë vendit si dhe anëtarët e tyre të ngushtë të familjes që jetojnë në të njëjtën familje. Për njerëzit që nuk kanë sigurim shëndetësor të detyrueshëm në Zvicër, shpenzimet mbulohen nga Qeveria Federale.

Në këtë link mund të shkarkohet broshura me udhëzimet e hollësishme në gjuhën shqipe për vaksinimin e adoleshentëve, 12 vjeç e sipër:

Merkblatt_Impfung_Jugendliche_Albanisch.pdf